Kryesore

VIDEO/Të miturit të rrezikuar nga interneti, qytetarët: E kanë fajin prindërit

               Publikuar në : 15:32 - 05/12/18 Enno

Në ditët e sotme interneti është kthyer në një domosdoshmëri për të gjithë. Edhe pse ai të ofron shumë mundësi përdorimi përsëri të rinjtë janë më shumë të përqendruar në rrjetet sociale. Këtë gjë e konfirmojnë dhe vetë ata për Tirana Today.

“Internetin e përdor shumë, qoftë për lojëra, rrjete sociale dhe për punë. Nuk mendoj që interneti është një problem, të paktën jo për të rriturit. Ndoshta për minorenët, të cilët nuk dinë ta përdorin në mënyrën që duhet.”

“Më shumë e përdor internetin për të folur me njerëzit jashtë. Por, nuk qëndroj shumë. Ndërkohë shoh të rinjtë të cilët janë bërë shumë të varur. Janë më shumë të fokusuar te interneti sesa të shkolla e mësimet. Nuk bëjnë dot pa të, këtë gjë e vë re sapo ulesh në lokal, ku të gjithë janë me telefona duke lundruar në internet.”

“Unë e përdor më shumë internetin për rrjete sociale si Snapchat, Instagram. Ndërkohë faqe si Google apo Wikipedia, i përdor kur më duhet për shkollën. Por, të hyj për qejf apo kuriozitet, nuk i kam hapur ndonjëherë.”

Përballë rritjes së përdorimit në çfarëdolloj moshe të rrjeteve sociale, punonjësit socialë përherë e më shumë bëjnë thirrje për një kujdes më të veçantë ndaj fëmijëve. Kjo pasi është shumë e lehtë për të aksesuar në lojëra të dhunshme apo materiale jo të përshtatshëm për moshën. Si edhe të bien pre e abuzimit seksual, pedofilisë, bullizmit, apo njohje jo të sigurta në rrjete sociale.

“Kjo është në dorë të prindërve, ata duhet të marrin masa që të mos i lejojnë fëmijët e tyre. Sepse është faji i prindërve teksa i lejojnë që në moshë të vogël të kenë rrjete sociale. Në një kohë kur ata duhet t’i përkushtohen më shumë mësimeve sesa internetit.”

“Ky është një problem shumë i madh. Pasi kjo grupmoshë nuk ka asnjë lloj mbrojtje. Shteti nuk ka krijuar asnjë sistem sigurie. Mund të shohësh fëmijë të vegjël që kanë akses në çfarëdolloj faqe.”/ TIRANA TODAY

Kthehu