Vaçe Zela, zëri i rrallë që i këndoi botës së rreme komuniste - Tirana Today

Vaçe Zela, zëri i rrallë që i këndoi botës së rreme komuniste


Ndryshe nga shumë këngëtarë të tjerë, Vaçe Zela, pati fatin tragjik të ndahej shpejt nga skena, pak pas të dyzetave, për shkak të një sëmundje që filloi dalë ngadalë t’i shkatërrojë kordat e saj të zërit, atij zëri që në Shqipërinë e komunizmit ngriti peshë zemrat e sa e sa shqiptarëve.

Dhe problemet shëndetësore, ia bënë tejet të vuajtura vitet e fundit të jetës. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes, ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në vendlindjen e saj në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik në Tiranë, por nuk u pranua.

Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa” në kryeqytet, por talenti i saj do të binte shpejt në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit, dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ajo është fituesja e festivalit të parë në RTSH në vitin 1961, ndërsa e rrëmbeu edhe 11 herë të tjera atë trofe. Turnetë jashtë vendit të Ansamblit të Shtetit, ishin vitrina e vetme ndërkombëtare për këngëtaren, e cila edhe në ato pak raste u krahasua nga shtypi francez me këngëtaren e madhe Edit Piaf, dhe ai italian me Minën.

Kjo lloj fame, e bëri disi të privilegjuar në mesin e artistëve, duke zgjedhur vetë këngët që do të këndonte. Por ishte ndërkaq artistja e preferuar, edhe e udhëheqjes komuniste.

Këtë e ka konfirmuar pak kohë më parë kompozitori Gjergj Leka, dhe këngëtari i ndjerë Tonin Tërshana.

Por edhe ish-anëtari i Byrosë Politike të Partisë së Punës, Muho Asllani, kujton një rast kur Vaçes i ishte prishur një dhëmb në prag të një turneu koncertesh të Ansamblit Shtetëror në Kinë, dhe për pak gramë flori që i nevojitet, nisur edhe nga burokracia e tejskajshme e kohës, u mblodh enkas kabineti qeveritar për të marrë vendim mbi atë “çështje”.

Pjesën dërrmuese të viteve të demokracisë jetoi së bashku me bashkëshortin tek vajza a saj në Zvicër, ndërsa në të paktat intervista televizive, ngashërehej shpesh në lot, pasi si pasojë e sëmundjes nuk kishte më një zë normal për të folur, dhe jo më për të kënduar për publikun ndonjë pjesëz sado të vogël nga hitet e saj të dikurshme.

Vdekja e saj, katër vite më parë, u shoqërua me debate të forta mbi rolin e artistes në regjimin komunist. Vaçja u akuzua se ishte produkt i sistemit, dhe madje edhe riprodhuese e tij nëpërmjet këngëve që i këndonin partisë, apo lumturisë së një jete e cila në fakt ishte e mjerë.

Të tjerët që ndërhynë në këtë debat, e pranuan se Vaçja u promovua nga sistemi dhe shumë nga këngët e saj ishin tejet bajate sa i përket tekstit, por kjo sipas tyre kjo nuk hedh tërësisht poshtë talentin e saj, të bazuar tek zëri i jashtëzakonshëm që kishte, dhe emocionet që ngjallte tek të gjithë ata që e dëgjonin.

Nevoja për të riparë të shkuarën e errët komuniste, krijon pashmangshmërisht dilemën se çfarë duhet të marrim si trashëgimi nga ajo periudhë, nëse hedhim poshtë gjithçka, jo thjesht artin apo letërsinë e diktaturës por edhe njerëzit e talentuar, që ishin si gjithë të tjerët pjesë e ingranazhit të diktaturës.  Një botë e rremë që pranohet si e vërtetë, përjetohet si e tillë.

Ndaj dhe këngëtarët si Vaçe Zela, i kënduan plot patos Shqipërisë së atyre viteve, dhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve që nuk dinin se çfarë bëhej matanë telave me gjemba, e duartrokitën fort. Ka qenë një raport i sinqertë mes artistes dhe popullit të saj.

Sot shumëçka ka ndryshuar, dhe e shkuara e errët shihet shpesh me ironi dhe cinizëm. Por gjykimet, duhet të vendosen hera-herës në kontekstin e një kohe, ku cilido kishte nevojë të mbijetonte dhe zhvillonte personalitetin e vet, edhe në kushtet e diktaturës më të egër në Evropë.      

ALKET GOCE, TIRANA TODAY


Kategori
Emisioni njerezKryesoreTë GjithaTT
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu