Kryesore

Turistët braktisin hotelet: Duam të jemi miq në shtëpinë e shqiptarëve

               Publikuar në : 17:17 - 08/11/18 S.N

Në pranverë, verë, vjeshtë apo dimër, nuk ka rëndësi se çfarë stine jemi, fshatrat tona po kthehen në vendet e preferuara të turistëve. Me çantat e mëdha në kurriz, ata zbulojnë zona që ndonjëherë as vetë shqiptarët nuk e dinë që ekzistojnë. Kjo pasi duan të njohin atë pjesë që nuk është prekur nga urbanizmi.

Kjo gjë ka bërë që vizitorët të largohen përherë e më shumë nga hotelet për t’iu drejtuar bujtinave. Mirash Markaj ka krijuar bujtinën e parë në fshatin Reç, pranë Malësisë së Madhe. Thotë për Tirana Today se më shumë se biznes, për të kjo është një formë për të transmetuar traditat e malësorit.

“Tashmë ka ardhur koha e turizmit familjar. E gjitha fillon që nga godina e deri tek ushqimet të cilat janë të gjithë bio. Dhomat janë të gjitha me dërrasë dhe kjo është shumë ndryshe nga ato me beton. Edhe pse këto të fundit janë të bukura e kanë shumë luks, asnjëherë nuk është si këtu.

Nëpër bujtina mund të plotësohen edhe kërkesa të veçanta të turistëve. Si p.sh., të marrin pjesë në procesin e gatimit. Nëpërmjet bujtinave ne nuk bëjmë vetëm biznes, por kërkojmë të pasqyrojmë edhe traditat e mikpritjen.”

Bujtinat zhvillojnë turizmin malor

Bujtinat karakteristike, natyra e egër, traditat më të mira të mikpritjes, ushqimi tradicional, janë këto që tërheqin turistët. Kjo sepse duan të kuptojnë se si jetojnë në të vërtetë shqiptarët.

“Është e vërtetë që zakonisht njerëzit kur dëgjojnë për Shqipërinë e lidhin me vijën bregdetare. Mua më pëlqen shumë të kuptoj sesi jetojnë njerëzit. Unë jam me profesion historiane dhe mendoj se duke parë sesi njerëzit jetojnë dhe të njohësh kulturën lokale, e përjeton vetëm duke jetuar në një shtëpi me ta.

Turistë të përgjegjshëm kur vijnë në vende të tilla, nuk ‘trazojnë’ jetën normale, vendasit e vazhdojnë jetën si gjithmonë. Por, ti si turist ke mundësi të marrësh pjesë në aktivitete të ndryshme, siç është gatimi, apo edhe hiking.  Bujtinat janë të mira sepse promovojnë edhe ekonominë lokale, sepse paratë shkojnë drejtpërdrejtë tek vendasit.” TIRANA TODAY

Kthehu