Futboll

Tjetër trofe për Skënderbeun, fiton Superkupën ndaj Laçit

               Publikuar në : 21:48 - 12/08/18 user

Mes shumë problemesh me mbylljen e sezonit të kaluar, Skënderbeu e ka nisur sezonin e ri me një trofe me Orges Shehin tashmë në rolin e trajnerit.

Korçarët kanë arritur të fitojnë Superkupën e Shqipërisë në ndeshjen e mbyllur 3-2 në “Selman Stërmasi” ndaj Laçit.

Pas një pjese të parë të përfunduar në barazim pa gola dhe ku u regjistruan shumë pak tentativa në portat respektive, 45-minutëshi i dytë nisi me një tjetër ritëm.

Fillimisht ishin laçjanët e Mergjyshit që kaluan në avantazh, në minutën e 49’, falë golit të Lushkjas, i cili përfitoi nga një hutim i mbrojtjes korçare.

Gjithsesi reagimi i Skënderbeut erdhi menjëherë dhe në minutën e 55-të ishte mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, që shënoi në portën e Selmanit dhe riktheu baraspeshën.

Goli i avantazhit për korçarët erdhi në minutën e 68′, kur Gjergji Muzaka ekzekutoi saktë një 11-metërsh të akorduar nga arbitri Juxhin Xhaja, pas një faulli të Sefgjinajt në dëm të Bregut. Vetëm katër minuta më pas, vjen radha e vlonjatit që të shënojë golin e tretë për Skënderbeun, pas një topi të marrë në zonë.

Laçi rihapi takimin edhe njëherë në minutën e 84-t, pas golit të shënuar nga talenti premtues Redon Xhixha, por vetëm kaq, pasi skuadra e Mergjyshit nuk arriti t’i prishë festën e triumfit korçarëve.

Kthehu