Kryesore

Sulmi vetëvrasës në ambasadë, SHBA ka një thirrje të fortë

               Publikuar në : 10:05 - 22/02/18 S.N

Vijnë reagimet e para pas sulmit vetëvrasës në ambasadën e SHBA-ve në Podgoricë. Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, ndërsa qeveria malazeze ka konfirmuar ngjarjen, teksa njofton përmes një postimi në Twitter:

“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Sipas qeverisë, pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe hetimet janë në proces.

Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Policia tha se nuk i di motivet e sulmuesit vetëvrasës.

“Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar, gjë që e konfirmoi nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein.

Policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada, ndërsa kjo e fundit ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës:

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.

 

Po ashtu, ambasada udhëzon shtetasit amerikanë që të shmangin tubimet e mëdha dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Një tjetër masë e marrë nga ambasada amerikane në Podgoricë është anulimi i të gjitha shërbimeve të parapara për ditën e sotme.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu