Blog

Sulmet terroriste të Iranit ndaj MEK/Ish-zyrtari amerikan: Të rrëzohet sa më parë regjimi i Teheranit!

               Publikuar në : 13:02 - 26/09/18 Bardhi

Nga Joseph Adam Ereli, “National Interest”/Presidenti amerikan Donald Trump, do të drejtojë sot, më 26 shtator një sesion të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të trajtuar “sulmin destabilizues të Iranit dhe sponsorizimin e terrorizmit”.

Në atë aktivitet, ai do të diskutojë gjithashtu “përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, përfshirë armët kimike, bërthamore dhe raketat balistike”.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u përqendruar tek Irani, e thekson strategjinë e vet të këmbënguljes ndaj ndryshimit të regjimit në Republikën Islamike.Që kur u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e administratës Obama, e njohur si JCPOA, administrata Trump ka imponuar një sërë sanksionesh të ashpra, që synojnë t’i mohojnë udhëheqjes së Iranit burimet që përdor për të financuar autoritetet në Irak, Siri, Jemen dhe Liban.

Në gusht hynë në fuqi sanksionet që ndalojnë blerjen e dollarit nga qeveria iraniane; tregtinë me Iranin në ar apo metale të çmuara; shitjen, furnizimin ose transferimin në ose nga Irani të grafitit, aluminit, çelikut dhe qymyrit; blerjen ose shitjen e rialit iranian; dhe blerjen ose lehtësimin e e borxhit sovran iranian.

Këtë nëntor, do të hyjnë në fuqi një sërë sanksionesh që ndalojnë transaksionet me portet dhe kompanitë iraniane të anijeve; blerjen e naftës dhe produkteve petrokimike nga Irani; transaksionet midis institucioneve të huaja financiare dhe Bankës Qëndrore të Iranit, dhe institucioneve të tjera financiare iraniane.

Ndërsa janë të nevojshme, vetëm këto masa të SHBA-së nuk do ta ndryshojnë sjelljen e Iranit. Asnjë regjim i sanksioneve nuk është mrekulli-bërës.

Regjimi iranian është i aftë të funksionojë edhe nën sanksione – duke gjetur zgjidhje të reja ekonomike. Irani ndihmohet nga mungesa e konsensusit ndërkombëtar për izolimin e tij.

Bashkimi Evropian, po shqyrton mënyrat për të zbutur ndikimin e sanksioneve, dhe për të ruajtur marrëveshjen bërthamore.

Rusia, Kina dhe Turqia, janë zotuar të vazhdojnë tregtinë me Iranin për të sfiduar fuqinë amerikane.

Raportet e medias, sugjerojnë se ish-Sekretari i Shtetit Xhon Kerri ka këshilluar evropianët, mbi strategjitë për shmangien e sanksioneve të SHBA-së.

Nëse ndryshimi i vërtetë do të ndodhë në Iran, atëherë ai do të vijë nga brenda vendit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e pranoi këtë më 22 korrik: “Tek u fundit u takon qytetarëve iranianë të përcaktojnë drejtimin e vendit të tyre. Shtetet e Bashkuara, në frymën e lirive tona, do të mbështesin zërin e injoruar prej kohësh të qytetarëve iranianë”.

Presidenti Trump, duhet ta shfrytëzojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, për t’u përqendruar në përpjekjet e popullit iranian në çlirimin nga regjimi, i cili as nuk i përfaqëson as nuk i respekton ata.

Të njëjtat shtete anëtare të OKB-së që po mbrojnë kompromisin me Iranin, duhet të dëgjojnë udhëheqësit e botës së lirë të flasin në emër të popullatës iraniane, që po vuan prej një kohe të gjatë, dhe që është sistematikisht i burgosur dhe i shtypur.

Samiti mbi kryengritjen e Iranit, i planifikuar para aktivitetit në OKB, do t’i bëjë jehonë këtij mesazhi.

Që nga dhjetori 2017, iranianët nga të gjitha rajonet, klasat shoqërore dhe moshat janë angazhuar në protesta që synojnë politikat dhe legjitimitetin e regjimit.

Ndërsa demonstratat në Iran nuk janë ndonjë gjë e re, vala e fundit e kundërshtimeve pasqyron një nivel të pashembullt të guximit dhe të organizimit midis aktivistëve pro-demokracisë.

Parullat në korr “Vdekje diktatorit”; “Nuk duam të qeverisemi nga klerikët”; dhe “Jo më Republikë Islamike”, flasin për refuzimin e popullit ndaj revolucionit islamik, dhe dëshirën e tyre për të ndryshuar qeverinë. Pamundësia e autoriteteve për t’i shtypur këto demonstrata, sugjeron që njerëzit më në fund mund të jenë në gjendje të realizojnë qëllimin e tyre.

Takimi i Këshillit të Sigurimit i 26 shtatorit, duhet të inkurajojë bashkësinë ndërkombëtare t’i ndihmojë ata – për hir të mbështetjes së parimeve të demokracisë dhe interesave të sigurisë të SHBA-së.

Këtë verë, autoritetet evropiane parandaluan një sulm terrorist të orkestruar nga Teherani, kundër tubimit të një grupi opozitar iranian, Muxhahidin-e Khalq (MEK), në Paris.

Sulmi do të përfshinte shpërthimin e 500 gramëve eksploziv, të cilën diplomati iranian Asadollah Asadi, ia kishte dhënë një çifti iranian, që u arrestua më vonë.

Nëse sulmi do të ishte i suksesshëm, ai do të kishte sjellë vdekjen e shumë prej 100 mijë pjesëmarrësve, mes të cilëve figurat politike të shquara amerikane.

Zyrtarët iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei, këmbëngulin që Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe udhëheqësja e tij, Marjam Rajavi, po nxisin protestat brenda Iranit.

Sulmi i parandaluar në Paris, nuk ishte një incident i izoluar: në vitin 2013, një gjykatë federale amerikane dënoi një agjent me lidhje me Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane, pasi kishte komplotuar vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara.

Në muajin mars, policia shqiptare arrestoi 2 iranianë që po planifikonin të sulmonin refugjatët e MEK-ut në atë vend. Është një shenjë e dëshpërimit, që udhëheqja e Iranit është e gatshme të përdorë personelin e vet diplomatik dhe selitë përkatëse, për të kryer operacione terroriste në territore të huaja.

Terrorizmi i regjimit iranian jashtë vendit dhe shtypja politike në vend shkojnë dorë më dorë. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta adresojë seriozisht të parën, atëherë duhet të adresojë edhe të dytën.

Mbështetja për qytetarët e guximshëm të Iranit, është mënyra më e sigurt për të mbrojtur Amerikën dhe aleatët e saj. Nëse në Iran do të ndodhë një ndryshim i vërtetë, ai do të vijë nga brenda vendit.

Shënim: Joseph Adam Ereli, shërbeu si ambasador i SHBA në Mbretërinë e Bahreinit në vitet 2007-2011, ndërsa ka qenë zv/zëdhënës i Departamentit të Shtetit në vitet 2003-2006.

PËRSHTATI TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu