Studimi/4 familje dhe politika kanë zaptuar median, gazetarët në mjerim - Tirana Today

Studimi/4 familje dhe politika kanë zaptuar median, gazetarët në mjerim

Katër familje kontrollojnë dhe dominojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në vend. Këto familje kontrollojnë tregun në vend përmes lidhjeve politike dhe pozicionit të fuqishëm ekonomik.


I gjithë ky dominim nuk ka sjellë gjë tjetër veçse një media më të kapur nga interesa politike dhe ekonomike, ndërsa ka përkeqësuar kushtet e punës për vetë gazetarët. Tek këta të fundit është rritur censura dhe vetëcensura.

Përqendrimi i tregut mediatik në pak duar ka deformuar vetë fizionominë e këtij tregu. Megjithëse të dhënat e audiencës janë të debatuara, llogaritjet e skuadrës së MOM mbi përqendrimin e audiencës tregojnë se bazuar në të dhënat e Abacus, katër pronarët e mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Familja Dulaku dhe Familja Ndroqi) në treg kontrollojnë 48.93% të audiencës, ndërsa bazuar në të dhënat e Telemetrix, katër pronarët më të mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Irfan Hysenbelliu dhe Familja Dulaku) kontrollojnë 58,6% të audiencës. Bazuar në metodologjinë e MOM, të dhënat e Telemetrix sugjerojnë një përqendrim të lartë në tregun e televizioneve.

Përqendrimi është gjithashtu i lartë në tregun e radiove, ku katër pronarë (Familja Hoxha, Arben Bylykbashki, Radio Publike dhe Familja Ndroqi) kontrollon  63.96% të audiencës. Në tregun e shtypit, një pronar i madh (Irfan Hysenbelliu) kontrollon drejtpërsëdrejti 30.22% të audiencës, ndërsa katër pronarët e mëdhenj (Irfan Hysenbelliu, Koço Kokëdhima, Henri Çili dhe Vëllezërit Dabulla) kontrollojnë 43.29% të audiencës.

E gjithë kjo panoramë aspak optimiste për median në Shqipëri ka dalë nga rezultatet e kërkimit tremujor të kryer bashkërisht nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Reporterë Pa Kufij.Tre familje kanë nën pronësi pesë licenca transmetimi dixhital, nga të cilat një ka marrë tre. Kështu, autoriteti i rregullator i medias ka mbështetur në praktikë një monopol”, shkruhet në studim.

Këto rezultate hedhin dritë  mbi tregun e shqiptar të medias duke publikuar se kush e ka nën pronësi dhe kush e kontrollon median.

Nuk ka një listë zyrtare të medias së shtypur në vend por raportet thonë se ka më shumë se 200 tituj. MOM analizoi 12 të përditshme kombëtare dhe identifikoi një pronar që kontrollon 54% të tregut. Të katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit.  Pavarësisht se numri i lartë i mediave sugjeron një varietet sasior oferte, të dhënat financiare tregojnë se pjesa e luanit në të ardhura është e përqendruar në pak grupe mediatike nën pronësi familjare. Përqendrimi brenda tregut të transmetimeve televizive pa pagesë te katër pronarët më të mëdhenj është 89.6% – ku dy më të mëdhenjtë më vete kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut (71.7% të të ardhurave) – dhe rritet në 94% në rast se përfshihen edhe rrjetet e transmetimit dixhital si dhe transmetuesi publik”, thuhet në studim.

Pronësia e Medias

Mediat në Shqipëri janë më së shumti nën pronësi private, me përjashtim të transmetuesit publikë RTSH.

Shumica e mediave janë nën pronësinë e një grushti familjesh të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër është e lidhur ngushtë me biznesmenë që operojnë në tregje të rregulluara, më së shumti në ndërtim dhe zhvillim pronash të patundshme, në arsimin e lartë, banka dhe lojërat e fatit.

Kur vjen puna te shtypi, rezultatet e llogaritjes së audiencës bazuar në të dhënat e agjencisë Abacus tregojnë se rreziku për përqendrimin e audiencës brenda tregut të shtypit është mesatar, ku katër lojtarët e mëdhenj arrijnë një audiencë prej 43.29%.  

Në median elektronike, përqendrimi i pronësisë është më i lartë se sa në shtyp, ku të dhënat e dy agjencive kërkimore të vendit, Abacus dhe Telemetrix, sugjerojnë se përqendrimi është mesatar ose i lartë. Sipas të dhënave të Abacus, tregu i televizioneve ka përqendrim të mesëm ku katër pronarët e mëdhenj arrijnë në 48.47% të audiences, ndërsa sipas të dhënave të Telemetrix,  përqendrimi është i lartë në tregun e televizioneve, ku katër pronarët e mëdhenj arrijnë 58.60% të audiencës.Të dhënat e audiencës nga Abacus tregojnë se rreziku i përqendrimit të audiencës brenda tregut të radios në Shqipëri është i lartë ku katër lojtarët e mëdhenj arrijnë një audiencë prej së paku 63.96% vetëm me stacionet që kanë përmbajtje informative.

Kërkimi i MOM tregon se pavarësisht numrit të madh të mediave, vetëm një grup i vogël pronarësh komandojnë vëmendjen e audiencës, në shtyp, televizion dhe radio – gjë që përbën rrezik të lartë për pluralizmin e medias. Shumica e këtyre pronarëve me ndikim kanë interesa të lidhura në fusha biznesi shumë të rregulluara, të tilla si ndërtimi, nafta, lojërat e fatit, arsimi i lartë privat apo bankë, gjë që i bën ato të dyshimtë për presion nga elitat në pushtet dhe që shpesh ndikon në linjën editoriale të  mediave që ata kontrollojnë. Ndikim i tillë i papërshtatshëm mbi mediat, i cili ndryshon sipas interesave politikë dhe ekonomikë të pronarëve, shtyn shumë gazetarë të përdorin vetëcensurën, duke i kthyer mediat në rrjete të shpërndarjes së propagandës së qeverisë dhe fushatave të disinformimit.

Media nën presion

Siç tregon në detaje faqja e MOM, tregu i medias në Shqipëri është i kontrolluar nga një grup i vogël pronarësh mediaje me lidhje të forta politike. Në të njëjtën kohë, pak gazetarë dhe media të pavarura janë përballur shpesh me frikësim dhe abuzim verbal  nga politikanët.Përballur me pyetje mbi lidhjet e dyshuara të ministrit të tij të brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, Rama iu hakërrye gazetarëve në tetor 2017 gjatë një konference të sajuar për shtyp duke i quajtur ata ‘injorantë’, ‘helm’, ‘thashethemexhinj’, ‘sharlatanë’, dhe ‘armiq publik’.

Denigrimi i medias shpesh shfaqet në retorikën e Ramës përgjatë viteve të fundit shoqëruar me një rritje të komunikimit të tij përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët. Retorika e Ramës shpesh mbart denigrime për median. Përgjatë viteve të fundit ai ka parapëlqyer gjithnjë e më shumë komunikimin përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët.

Disa komentatorë kanë sugjeruar se pas gjuhës së pasur të përdorur kundër medias nga politikanët shqiptarë qëndron një ‘strategji sharjesh’, e cila synon të devijojë vëmendjen e publikut nga skandalet duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin atë si përpjekje për të delegjitimuar një grusht gjithnjë e më të vogël mediash dhe gazetarësh kritikë, të cilët nuk janë të kontrolluar drejtpërsëdrejti nga oligarkët dhe në mënyrë të tërthortë nga Rama, Meta, Berisha dhe klientët e tyre.

Përqendrim i lartë në audiencën e medias

Tre familje kanë nën pronësi pesë licenca transmetimi dixhital, nga të cilat një ka marrë tre. Kështu, autoriteti i rregullator i medias ka mbështetur në praktikë një monopol. Në radio, përqendrimi i audiencës është edhe më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqendrimi mund të dallohet vetëm te shtypi, ku katër pronarët kryesorë kanë një lexueshmëri të kombinuar prej 43.29%.

MOM ka matur gjithashtu edhe pronësinë ndërsektoriale të medias, TV, shtyp, radio dhe online, e cila zbuloi se të tetë pronarët kryesorë arrijnë një audiencë që varion nga 72,1% deri në 80.1%.

Në tërësi, këto shifra ilustrojnë një rrezik shqetësues të lartë për pluralizmin e medias në Shqipëri.Vetëcensura

Sipas metodologjisë kërkimore të MOM, kontrolli politik mbi mediat në Shqipëri vlerësohet si i lartë. Audienca e pronarëve me lidhje politike varion nga 65,18% (të dhënat e Abacus) në 75,86% (të dhënat e Telemetrix).

Për shkak të presionit që vjen nga pronarët e medias me interesa politike dhe ekonomike, shumë gazetarë shqiptarë përdorin vetëcensurën. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura të pronarëve të medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë reklamuesit e mëdhenj korporativ dhe institucionet qeveritare.Gjithsesi, asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një ndikim aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës se sa interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve. Në një vrojtim, afërsisht 80% e gazetarëve në Shqipëri e vlerësuan negativisht sigurinë e tyre në punë, duke e lidhur qartazi me kushtet e punës përdorimin e gjithëpërhapur të vetëcensurës si masë mbrojtëse. TIRANA TODAY


Kategori
AnalizaKryesoreShqipëriaSocialeTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu