Blog

Stacionet me freskuese, autobusët pa kondicionerë. Ku të çon ‘mushka’ o lali Eri?!

               Publikuar në : 18:55 - 07/08/18 marsela

Nga: Marsela Sinani/ Është pak të thuash se çdo grupmoshë që udhëton me urbanët në Tiranë i kap stresi, pasi temperaturat e larta nuk mund të përballohen kur njerëzit shtypen si sardele, e kur shoferi nuk ndez kondicionerin.

Në mjaft raste, në mbrojtje i del fatorinoja, i cili e gjen zgjidhjen tek hapja e dritave të autobusit, ndonëse mjeti është i mbipopulluar. Këtu ai nuk merr parasysh djersitjen, apo edhe një grup qytetarësh, të cilët e kanë me ‘siklet’ për tu larë.

Përpos pritjes së gjatë në stacion, njerëzit duhet ti paraprijnë faktit se mund të gjenden pranë edhe dikujt që nuk i ka mundësitë për tu parfumosur, ose kur fatorino e ka me përtesë të të japë faturën. Por është edhe ana tjetër e medaljes.

Njerëz të mbuluar nga djersët në një urban pa kondicioner, i thonë faturinos: Mbaje biletën, se nuk e dua!

Bashkia e Tiranës ka vendosur një sërë kriteresh për rritjen e cilësisë së shërbimit në linjat e transportit urban. Një ndër to ishte pikërisht respektimi i frekuencës së autobusëve, me qëllim shkurtimin e kohës së pritjes për qytetarët.

Ajo çfarë të bën të reflektosh më shumë, lidhet me faktin se në dyert e urbanit ka shpallje me rregulla e detyrime. Kur qytetarët nuk shkelin asnjë prej këtyre rregullave, pse ne na shkelin me këmbë?!

Kur hallet tona s’kanë fund, një zgjidhje si me magji na vjen nga kryebashkiaku Veliaj. Teksa jemi duke pritur për minuta të tëra, do e kemi mundësinë që edhe të freskohemi. Tani po që na i ‘mbylli gojën’.

Por qytetarët nuk janë të marrosur. Ata e kuptojnë se përpara se të instalosh freskuesen në stacionet kryesore të autobusëve, duhet si fillim ta nisësh me kondicionerët brenda urbanëve.

Kur të shpëtojmë një herë e mirë nga vonesat, vapa e nga hajdutët brenda autobusëve, atëherë po që do e shijoj edhe fresllëkun o lali Eri!

Kthehu