Kosova

Skenari serb, rreziku i madh që po kërcënon Kosovën

               Publikuar në : 15:20 - 15/05/18 lm

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, ka zbuluar skenarin serb për njohjen e Kosovës.

Jovanoviq, që është politikani i vetëm serb që ka pranuar pavarësinë e Kosovës, gjatë vizitës në Kosovë javën që shkoi, ka deklaruar se Serbia duhet ta thotë se dëshiron veriun e Kosovës, në mënyrë që të pranohet pavarësia e shtetit tuaj.

“Çka Beogradi dëshiron? Beogradi dëshiron diçka.. e ju sigurisht thoni se kjo është e pamundur…Duhet të ulemi këtu para jush dhe të themi, këtë duam…veriun e Kosovës, atje moti nuk po bëhet jetë normale.. duhet thënë na e jepni veriun e Kosovës ne pranojmë pavarësinë e shtetit tuaj”, tha Jovanoviq në tryezën “Finalja e dialogut Kosovë-Serbi”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Flet Shefi i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë
ImageLidhur me këtë, Shefi i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se atij i intereson kushtetuta dhe jo deklarata të serbëve dhe sipas Kushtetutës falja e territorit është tradhti.

“Unë jam zyrtar shteti. Mua me intereson kushtetuta e vendit. Sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës dhënia/falja e territorit është akt i tradhtisë kombëtare”, ka thënë Arifi.ImagePretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kosova gjithmonë ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kjo po vërtetohet edhe tani.

“Historia e angazhimit serb ndaj Kosovës gjithmonë ka qenë territorial, nuk ka qenë kurrë as me të drejtat e komunitetit serb, as me të drejtat e kishave, kurrë, por vetëm territoriale. Edhe tash me këtë po vërtetohet se pretendimet e saj janë vetëm territoriale. Trojet shqiptare janë më së të zvogëluara nga shteti serb dhe çdo tendencë e cungimit të mëtutjeshëm tonin është e papranueshme dhe nuk sjell paqe në këtë vend”, është shprehur ai.

Sipas Avdylit, klasa politike duhet t’i thotë jo kësaj politike të Serbisë dhe me të duhet të aplikohet politika e reciprocitetit.

“Mendoj që si klasë politik duhet t’i themi jo kësaj politike të Serbisë, por në të njëjtën kohë duhet që popullatës serbe t’i plotësohen të drejtat e tyre të arsyeshme dhe me Serbinë njëherë e përgjithmonë të aplikohet politika e reciprocitetit sepse popullata shqiptare në Serbi është shumë më e madhe në Serbi se ajo serbe në Kosovë dhe çkado që kërkohet për popullatën serbe këtu, kërkohet edhe për popullatën serbe atje, Përndryshe, politikat territoriale të Serbisë nuk do të kenë sukses dhe ky është edhe qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare”, ka theksuar deputeti Haxhi Avdyli për “Bota sot”.ImageSerbia do tërë Kosovën

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Serbia prej vitesh e do jo vetëm veriun por tërë Kosovën por Serbia duhet ta njoh realitetin e Kosovës si shtet.

“Kjo që e ka thënë nuk është diçka e re, ne e dimë që Serbia e do krejt Kosovën edhe jugun por kjo këngë ka përfunduar në vitin 1999 dhe ndryshim të kufijve nuk do të ketë në këtë pjesë të Ballkanit. Serbia realitetin do ta njeh, Kosova është shtet i pavarur, ata po bëjnë çmos që ta kontestojnë pavarësinë dhe ta pengojnë formimin e Kosovës por kështu po e dëmton veten por edhe Kosovën”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij, këtë duhet ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare e cila po tregohet tolerante ndaj Serbisë dhe po i lejon shantazhet e saj ndaj Kosovës.

“Sa më herët që ta kuptojnë realitetin e ri është më mirë edhe për Serbinë edhe stabilitetin në këtë regjion. Mendoj që këtë çështje duhet ta kuptojnë edhe bashkësia ndërkombëtare që është tolerante ndaj Serbisë dhe po i lejon këto shantazhe të saj ndaj Kosovës sepse një politikë e tillë agresive dhe hemogjeniste e Serbisë jo vetëm që dëmton stabilitetin e Kosovës dhe regjionit por sjell probleme edhe për faktorët që janë angazhuar për stabilitetin në Ballkan”, ka vlerësuar deputeti Ismail Kurteshi për “Bota sot”.ImageSkenar për destabilizm

Ndërsa, zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Serbia gjithmonë ka skenarë për ta destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin, por që ne duhet mbrojtur kufijtë.

“Serbia gjithmonë kuptohet se i ka skenarët e vet për ta destabilizuar Kosovën dhe gjithmonë është prezent ëndrra e tyre për të dalë në deti në Rusi, prej kohësh. Serbia është kundër stabilitetit në Ballkan. Ne duhet të shkojmë në atë drejtim që çdoherë t’i mbrojmë kufijtë tanë, këta që i kemi me shumë shqiptarë që janë jashtë tyre por kemi respektuar vendimin e fuqive të mëdha. këta kufij duhet të mbrohen nga çdo individ, parti e lider”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk duhet lejuar asnjë pazar me Serbinë dhe faktori politik në Kosovë duhet të jetë unik.

“Prandaj nuk do të lejojmë kurrfarë pazari me Serbinë, andaj duhet të jemi unik, faktori politik në Kosovë të jetë unik dhe të mos pranojë kurrfarë pazaresh. Interesat tona edhe gjeografike edhe ekonomike janë që veriu të jetë i Kosovës ashtu siç është. Por edhe duhet të veprojmë në atë mënyrë që të mos e humbim përkrahjen e miqve ndërkombëtare sepse me disa gjëra po e humbim atë, por ajo është e rëndësishme që t’i kemi ata, t’i mbrojmë kufijtë dhe të pranohemi edhe nga tjera shtete”, është shprehur Makolli për “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë tregon planet serbe

Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, lidhur me një skenar të mundshëm të marrjes së veriut nga Serbia, ai thotë se Serbia mundohet ta marrë atë por që a ka kuptim që Kosova të bëjë pazare për këtë kur rrezikon të mbetet pa Ujmanin.

“Serbia tani në këto kohëra do të tentojë në çdo mënyrë të merr tani edhe atë “pak” që mundet sikur tani veriun. Atë “pak” tani serbët e zbërthejnë edhe kur është në pyetje pjesa domethënëse e Kosovës, veriu. Bëhet pyetje tani pas edhe këtyre shumë viteve nga të 90-tat, kur kishte zëra edhe nga të mëdhenjtë e Serbisë sikur u llogariste si “baba i Serbisë” nga Dobrica Qosiq që ishte edhe kryetar i asaj Jugosllavie të cunguar, që pati propozuar ndarjen e Kosovës, pse pati nevojë të luftohet dhe të shkaktohen këto dëme dhe masakra të luftës nga ana e Serbisë Kosovës, kur këtë kanë mundur ta bëjnë hiq pa luftë. Tani pas këtyre ndodhive sikur që janë dëmet materiale, masakrat ndaj popullatës shqiptare, ku edhe sot e kësaj dite ka njerëz të humbur dhe të zhdukur të pagjetur nga ana e Serbisë dhe familjarët e tyre non-stop janë në kërkim e sipër së paku ta dinë të vërtetën për ta. A e ka kuptimin tani dikush në emër të Kosovës të dalë dhe t’i bëjë ato pazare-marrëveshje që serbëve t’i jepet pjesa e veriut me katër komunat, e sidomos kur është e qartë se në atë pjesë gjendet uji rezervë i Kosovës-Ujmani, pa të cilin rezervar Kosova as që mundet të ekzistojë, nëse nuk e ka kontrollin e plotë ndaj vetë Ujmanit, e sidomos duke e njohur Serbinë me sjelljet armiqësore ndaj Kosovës”, është shprehur ai.ImageSipas tij, është turp që Serbia të kërkojë ta marrë veriun kur dihet luftën që e ka bërë ndaj Kosovës në vitin 1999.

“Pas kësaj lufte dhe intervenimi ndërkombëtar të botës që ka ndodhur në vitin 1999 ndaj Serbisë, në aspektin humanitar njerëzor si bazament i këtij intervenimi dhe shumë luftërave tjera që i ka bërë Serbia me shtetet tjera fqinj, si pjesë përbërëse që ishin në ish Jugosllavi, tani ta kërkojë Serbia si satisfaksion veriun, është turp e mbi turpin e sidomos duke e pasur parasysh se Serbia ka bërë padi në gjyqin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës nga i cili gjyq ka marrë përgjigjen negative dhe se është kofirmuar se Kosova është shtet i pavarur në kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974 dhe e ka të drejtën në pavarësinë e saj”, vlerëson Tërnava.

Ai shprehet se Serbia duhet ta shikojë historinë kur është njohur si shtet.

“Serbia duhet ta ketë të qartë se po e shikuam prapa historinë edhe ajo kur u njoh në vitin 1878 nga shtetet tjera si shtet i pavarur, ishte krejt në kufijtë tjerë shumë të ngushtë pa Sanxhakun me Novi Pazarin e shumë qytete për rreth. Sidomos duhet ta ketë të qartë se në këto kohëra rreth 700 fshatra shqiptare u dëbuan nga ato troje me dhunë me ndihmën edhe të turqve dhe u detyruan të vijnë në Kosovën e sotme, të cilët shqiptarë edhe sot e kësaj dite i mbajnë mbiemrat e tyre të fshatrave nga kanë ardhur e që gjenden prej kufirit tani të Kosovës me Serbinë e deri te Beogradi”, ka theksuar ai.

Rruga e Kosovës

Sipas Tërnavës, Kosova duhet ta vazhdojë rrugën e saj të pavarësisë dhe t’i qëndrojë pranë miqve ndërkombëtarë dhe që në bisedime të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

“Në bazë të asaj se çka ka ndodhur deri më tani nga të 90-tat e deri më tani e sidomos luftës të vitit 1999, Kosova duhet ta vazhdojë rrugëtimin e saj të pavarësisë si deri më tani kur pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete. Shtetet mike sikur Amerika me BE dhe Britaninë dhe Aleancën ushtarake të NATO-së janë edhe më tutje në përkrahjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe në mënyrë permanente janë duke bërë presion ndaj Serbisë që ta njeh pavarësinë e Kosovës në këta kufij të sotëm. Në të kundërtën Serbia do të jetë shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa perspektivë të lëvizjes së lirshëm me shtete tjera dhe çdo ditë duke u zbrazur nga te rinjtë, të cilët kërkojnë perspektivë për jetesë jashtë kufijve të një shteti të izoluar. Shteti i Kosovës duhet në mënyrë permanente t’iu qëndrojë pranë miqve të saj që i ndihmuan të çlirohet nga Serbia dhe ata që e përfaqësojnë në bisedime Kosovën me Serbinë nuk duhet të nënshkruajnë asnjë marrëveshje pa e miratuar Parlamenti i Kosovës dhe pa u pajtuar miqtë që na ndihmuan të çlirohemi”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu