Futboll

Shqipëria reziston ndaj Spanjës, vazhdon ‘mallkimi’ i minutave të fundit (Video)

               Publikuar në : 21:23 - 11/10/18 Enno

Kombëtarja e 21-vjeçarëve ka zhvilluar një ndeshje me shumë karakter përballë Spanjës në “Selman Stërmasi”, por nuk i shpëton dot sindromës së minutave të fundit. Pikërish që në minutën e 84’ ishte Mir ai që dërgoi topin në rrjetën e kuqezinjve dhe bëjnë që ti mbyllin me humbje kualifikueset e Europianit për U-21 që do të zhvillohet në Itali.

Pas kësaj humbje Shqipëria vijon të renditet në vend të parafundit të klasifikimit, me vetëm 6 pikë në 9 ndeshje, duke lënë pas vetëm Estoninë me 1 pikë në 8 takime. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Spanjës U-21, që kishte siguruar kualifikimit dhe biletën për në Itali, renditet në vend të parë e pashqetësuar në kuotën e 24 pikëve.

Kuqezinjtë ishin me fat por edhe luftuan shumë ndaj iberikëve, ku portieri Kastrati ishte në një formë fantastike. Kur kishin mbetur vetëm 6 minuta deri në përfundim të kohës së rregullt, Rafa Mir ka shënuar dhe ka kaluar Spanjën në avantazh. Sinjali më i rrezikshëm nga kuqezinjve në portën e Spanjës ka qenë ai i minutës së 47’, kur Vrioni ka lëshuar një goditje të fuqishme, por me të njëjtën cilësi është përgjigjur edhe portieri spanjoll, Unai Simon.

Shqipëria U-21: Kastrati, Maloku, Toli, Tafa, Doka, Kryeziu, Bare, Laçi, Muçolli, Seferi, Vrioni.

Spanja U-21: Unai Simon, Lirola, Karikol, Nunez, Mere, Zubeldia, Soler, Fabian Ruiz, Fornals, Ojarzabal, Majoral.

Kthehu