Kronikë

Shkon në 12 numri i të ndaluarve për Bularatin

               Publikuar në : 21:07 - 08/11/18 lm

Orë pas ore rritet numri i ekstremistëve grekë që janë ndaluar nga policia shqiptare. Të gjithë të ndaluarit ishin pjesëmarrës në varrimin e Kostandinos Kacifas. Këta ekstremistë bllokuan rrugën që të çon në doganën e Kakavijës. Me ketë veprim ata realizuan një  tubim të paligjshëm duke shkuar më tej me sharje dhe parulla fyese ndaj shqiptarëve.

Burime për Tirana Today konfirmojnë se të ndaluarit mbahen në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Po sipas të njëjtave burime, me gjithë interesimin e Konsullata Greke e Gjirokastrës që personat e ndaluar të lihen të lirë, kjo nuk është e mundur tani për tani.

Sipas të gjitha gjasave të ndaluarit do ta kalojnë natën në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Fati i tyre mund të zbardhet nesër në mëngjes.

Deri tani disa emra prej të ndaluarve janë: Babis Karathanos,  Christos Doutsis, Thomas Stefos,  Andreas Kourtis , Elias Thanos, Konstantinos Gizelis, Pyrros Panagiotis.

Gjithashtu, në mes të arrestuarve është dhe kushëriri i Kostandinos Kacifas.

Një tjetër burim për Tirana Today konfirmon se janë arrestuar edhe dy shqiptarë për tubim të paligjshëm.

Babis Karathanos është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, Thomas Stefos ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komisionit të DEEUM, Christos Doutsis, ish-zyrtar i lartë i Dropolit të Sipërm, Andrea Kourti, këshilltar i Bashkisë Ilioupolis.

Kthehu