Shpikja e fundit

Shkencëtarët: Projekt ambicioz për pastrimin e mbetjeve në hapësirë

               Publikuar në : 22:50 - 09/09/18 lm

Shkencëtarët e hapësirës thonë se satelitët dhe objekte të tjera të hapësirës që flururojnë rreth Tokës, përfshirë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ndodhen në një rrezik përherë e më të madh për përplasjen me mbeturina në hapësirë. Inxhinierët janë duke punuar me intensitet për heqjen e mbeturinave që kërcënojnë satelitët me vlerën e miliona dollarëve.

Problemi i mbeturinave të hapësirës mund të zgjidhet me dy mënyra, thotë Luisa Innocenti, drejtoreshë e zyrës për një Hapësirë të Pastër, në Agjencinë Europiane të Hapësirës, ESA:

“Pikësëpari, ne duhet të ndalojmë ndotjen. Së dyti, duhet të heqim mbetjet nga hapësira.”- thotë ajo.

Të dyja këto metoda janë të vështira për t’u zbatuar.

Nuk ka ende një marrëveshje ndërkombëtare për minimizimin e mbetjeve në hapësirë, megjithëse vende të veçanta kanë rregulla për heqjen nga orbita të pajisjeve jo funksionale, apo eleminimin e të ashtuquajturave “varrezave në orbitë”.

Ndërkohë, sasia e mbetjeve vazhdon të rritet, ngaqë përplasjet e ndryshme në hapësirë lenë pas copra të vogla, të pakapshme.

Shkencëtari i ESA-s Jesus Gil Fernandez, thotë se agjencia po eksperimenton me një krah robotik, që kap copra të mëdha mbetjesh dhe i çon ato në zona më të sigurta:

“Ne përdorim kamera, që vendosen tek krahu robotik, për të riprodhuar lëvizjen e satelitit rreth objektit që duam të kapim dhe ta nxjerrim nga orbita.”– thotë ai.

Shkencëtari italian Michele Lavagna thotë se satelitët e vjetër mund të kapen me rrjeta speciale:

“Koncepti është i ngjashëm me veprimet e peshkatarit në det. Kemi një rrjetë shumë të madhe dhe nga distanca përpiqemi të mbështjellim me të satelitët,– thotë Lavagna.

Të tjerë shkencëtarë të ESA-s, si Benoit Bonvoisin, po studjojnë mundësinë e ndërtimit të satelitëve më pak të rrezikshëm, duke pakësuar ndotjen si të hapësirës, edhe të Tokës, transmeton voa.

“Tani po përpiqemi të kuptojmë se ç’ndodh me materialet që përdorim. Pastaj do të shohim se si t’i përmirësojmë ato, – si mund të punojmë për një koncept sateliti. Duam të kuptojmë si lidhen apo si shkëputen pjesët e satelitit nga njëra-tjetra në mënyrë që të kemi satelitë më të sigurtë kur i afrohen fundit të jetëgjatësisë që krijojnë më pak mbetje në Tokë,”– thotë Bonvoisin.

Por tani për tani, nuk është caktuar ndonjë datë për operacionin e parë të mbledhjes së mbetjeve hapësinore në botën reale.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu