Kryesore

SHBA sjell të dhëna që fundosin PD, mbërrin një pjesë e dosjes së Bashës

               Publikuar në : 12:14 - 12/10/18 S.N

SHBA-të kanë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës dokumentet e para për skandalin e Partisë Demokratike me lobimet. Lulzim Basha u vu nën hetim nga prokuroria, pas një investigimi të mediave shqiptare dhe ato amerikane, mbi shpenzimet që janë bërë për lobime në SHBA.

PD ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth 160 mijë dollarë shpenzime, por në të vërtetë ka rezultuar se ka pasur një kontratë me vlerë 675 mijë dollarë me kompaninë “Biniatta Trade LP”. Për këtë arsye prokuroria nisi hetimet dhe kërkoi të dhëna nga autoritetet amerikane mbi deklarimet që kompania në fjalë dhe drejtuesi i saj Nicoilas Muzin kanë bërë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.

Gazeta Sot iu drejtua me një shkresë Prokurorisë së Tiranës për të mësuar se në çfarë faze janë hetimet. Në përgjigje prokuroria bëri me dije se dosja me dokumentet për kontratat mes palëve ka mbërritur para pak ditësh në Shqipëri. Po ashtu, konfirmohen kontratat e “Biniatta Trade LP” me PD. Prokuroria është në pritje të dëshmisë së Nicolas Muzin dhënë pranë autoriteteve amerikane.

“Në përgjigje të shkresës suaj me anë të së cilës kërkoni informacion lidhur me çështjen e lobimeve të subjektit Partia Demokratike me SHBA, ju bëjmë me dije se: Pas dërgimit të një letër-porosie drejt autoriteteve të SHBA, ka mbërritur një pjesë e përgjigjes ku konfirmohet zyrtarisht ekzistenca e dokumenteve të dorëzuara nga Nicolas Muzin në Departamentin Amerikan të Shtetit, në lidhje me kontratat e hartuara me Partinë Demokratike dhe me shoqërinë tregtare “Beniatta Trade” në periudhën qershor-nëntor 2017. Pjesa tjetër e letërporosisë, intervistimi procedural i Nicolas Muzin nuk ka mbërritur ende”, thuhet në shkresën e Prokurorisë së Tiranës për gazetën “SOT”.

Deklarata e prokurorisë tregon se telashet për PD janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit. Dje u arrestua “Babalja” dhe në varësi të deklaratave të tij varet dhe fati i deputetit Ervin Salianji, pasi dhe ai mund të përfundojë në qeli. Nga ana tjetër SHBA ka dorëzuar të dhënat për lobimet e Bashës dhe prokuroria po dëshmon se po avancon ndjeshëm me hetimet.

Kontratat e Bashës

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, PD lidhi dy kontrata me kompaninë, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump. Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guaskë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, ç’ka ngre dyshime serioze për origjinën e parave. Mosdeklarimi i të dhënave është shkelje ligjore dhe për këtë arsye prokuroria po heton.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu