Ekonomi

Rritja ekonomike në vendet e rajonit me ‘hapat e breshkës’, mes 2.5 dhe 4 për qind

               Publikuar në : 17:01 - 04/10/18 lm

Vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018 do të kenë rritje ekonomike e cila do të lëvizë mes 2.5 dhe 4 për qind, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore (BB) të publikuar sot në të cilin thuhet se pavarësisht 91.000 vendeve të reja të punës të krijuara mes korrikut 2017-2018, kjo shifër është dukshëm më e ulët nga 214.000 në periudhën paraprake njëvjeçare.

Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2018, Banka Botërore parashikon që të kryesojnë Shqipëria dhe Kosova me nga 4 për qind, Mali i Zi me 3.8 për qind, Serbia 3.5 për qind Bosnjë e Hercegovina 3.2 për qind dhe Maqedonia 2.5 për qind.

Përmes një video-paraqitjeje nga selia e BB-së, koordinatorja për vendet e Ballkanit Perëndimor, Linda Van Gelder tha se, “Në tërë rajonin vërehet një rritje e përkrahur nga investimet dhe shpenzimet. Vendet të cilat rritën investimet private shënuar rritje më të madhe”, tha ajo.

– Maqedonia, rritje ekonomike prej 2.5 për qind

Për sa i përket Maqedonisë, në selinë e BB-së në Shkup foli drejtori për Maqedoni dhe Kosovë, Marco Mantovanelli, i cili tha se vendi po shënon rritje ekonomike me 2.5 për qind, pasi paraprakisht në vitin 2017 rritja ishte zero. Rritja tha ai, i atribuohet investimeve private dhe rritjes së konsumit.

“Maqedonia ka regjistruar numrin më të madh të punësimeve krahasuar me gjashtë shtetet tjera të rajonit. Kjo rritje është e shoqëruar edhe me uljen e numrit të të papunëve, për çka papunësia në vitin 2018, pritet të arrijë rekordin më të ulët ndonjëherë me 21.1 për qind”, tha Mantovanelli.

Bojan Shimbov, ekonomist në zyrën e BB-së në Shkup, tha se rritja ekonomike e Maqedonisë është projektuar në 2.5 për qind vitin 2018 nga shkaku se investitorët kanë rritur besimin e tyre mbi vendin tonë, për çka presin rritje të investimeve publike në gjysmën e dytë të këtij viti.

Për sa i përket uljes së numrit të të papunëve, Shimbov tha se shirfat janë në rekordin më të ulët prej 21.1 për qind shifra këto që deri në fund të vitit të ulën në 20.4 për qind, për të shtuar se kjo më së shumti ka të bëjë me shkallën e lartë të atyre të cilët nuk janë aktiv në tregun e punës.

“Akoma kemi rreth gjysmën e fuqisë së aftë punëtore joaktive, që do të thotë se është e papunë, por nuk kërkon punë”, tha ai, për të shtuar se është regjistruar edhe një rritje e pagave mujore.

Sanja Magjareviq Shuister, ekonomiste e Lartë për Ballkanin Perëndimor, në paraqitjen e saj ngriti shqetësimin tek cilësia e arsimit në Maqedonia, pasi siç tha, me këtë nivel të rinjtë vështirë do të garojë me të rinjtë nga shtetet tjera, meqë rreth 70 për qind e nxënëseve nuk kanë njohuritë elementare në matematike ose aftësitë gjuhësore.

“Fokusi nuk do të duhet të jetë tek mësimi i fakteve të cilat lehtë mund të gjenden, por tek aftësia për të bërë analizë kritike të asaj që keni lexuar, për të bërë krahasim nëse atë që keni lexuar mund të zgjidh problemin që keni”, tha ajo.

Banka Botërore parashikon që deficiti të arrijë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në fund të vitit, ndërsa borxhi publik të jetë 50 për qind e PBB-së.

Për sa i përket rreziqeve të brendshme, BB thotë se perspektiva për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE do të ndikojë në përshpejtimin e reformave strukturore, por nga ana tjetër thotë se ngadalësimi i tyre nga shkaku i proceseve politike, zgjedhjet e përfolura minojnë perspektivën.

– “Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive”

Sipas raportit të BB-së prezantuar në Tiranë, rritja ekonomike ka krijuar më shumë vende pune në Shqipëri, por ky institucion thekson se mbështetja e rritjes kërkon ruajtjen e kursit të reformave.

Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritja ekonomike në Shqipëri pritet të jetë 4 për qind këtë vit, duke sjellë më shumë vende pune, ndërkohë që pritet të zvogëlohen edhe deficiti fiskal dhe borxhi publik.

“Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive. Por, pavarësisht të dhënave të mirëpritura që dëshmojnë më shumë rritje dhe krijim të vendeve të reja punës, konsolidimi fiskal, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore janë shumë të rëndësishme për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe që sjell barazi”, thuhet në raport.

Më tej theksohet se punësimi u rrit me 4 për qind në gjysmën e parë të vitit, kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe atë të industrisë.

Sipas raportit, rritja e qëndrueshme ekonomike ka mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe inkurajuar pjesëmarrjen në forcën e punës.

– “Në Kosovë rritja ekonomike ruan momentumin pozitiv”

“Në Kosovë, rritja e fortë pritet të stabilizohet në 4.2 për qind në vitin 2018. Rritja parashikohet të arrijë në 4.5 për qind në periudhën 2019-2020, por perspektiva është e cenueshme nga rreziqe të jashtme dhe të brendshme. Deficiti fiskal parashikohet të rritet, brenda kufijve të rregullës fiskale, për shkak të investimeve më të larta publike, kryesisht në infrastrukturë dhe shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale”, thuhet në një njoftim nga Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë.

“Ndërkohë që rritja po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale, është thelbësore të përmirësohet alokimi i shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme”, tha Mantovanelli.

“Kosova po tregon një absorbim më të mirë të investimeve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare si dhe performancë më të mirë të eksporteve, por perspektiva mund të cenohet nga paqëndrueshmëria politike, rritjet e mëtejshme të benefiteve të pashënjestruara dhe rënia globale e tregtisë dhe hyrjeve të kapitalit”, ka shtuar ai transmeton aa.

Ndërkohë njoftohet që edhe punësimi është rritur në pesë nga gjashtë vendet në rajon. “91.400 vendet e reja të punës të krijuara mes korrikut 2017 dhe korrikut 2018 ishin dukshëm më pak se 214,000 vendet e punës të shtuara një vit më parë. Shumica e vendeve të reja të punës shfaqen në sektorët e industrisë dhe shërbimeve”, thuhet në njoftim.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu