Kryesore

Rrahja e shqiptarëve, qytetarët: I provokuan vetë serbët

               Publikuar në : 18:09 - 10/10/18 S.N

Në qytetin Novi Sad të Serbisë, dy të rinj shqiptarë u rrahën barbarish nga një grup serbësh. Sipas mediave serbe motivacioni ka qenë se të rinjtë kanë folur shqip. Nga sulmi, një prej shqiptarëve ndodhet në reanimacion, në gjendje kritike. Kjo pasi ka pësuar një thyerje në kafkë. Ndërkohë, autoritetet serbe kanë shoqëruar katër persona.

Qytetarët thonë për Tirana Today se ky veprim është i pafalshëm dhe se duhen të merret masat për sulmuesit. Por, sipas tyre edhe shqiptarët duhet të jenë më të kujdesshëm, në mënyrë që të mos provokojnë.

“Serbët janë populli më i keq që mund të ketë pasur historia e botës. Shqiptarët mund të flasin shqip kudo që janë, pasi fundja fundit është gjuha e tyre. Nuk është e ndaluar as në Serbi, e në asnjë vend tjetër.”

“Shqiptarët janë provokues, e kanë këtë maninë që duan të duken kudo që shkojnë. Duke e ditur që ata nuk na duan ne, nuk ke pse flet. Pasi do kesh konflikte.”

“Nëse kanë ngritur zërin dhe është bërë në mënyrë provokuese, atëherë disi kanë pasur dhe pak vetë faj.”

“Si mund të mohojë njeriu gjuhën e vetë se nuk do serbi. A ka më poshtërsi se kjo? Ne nuk na shohin andej jashtë, ashtu si i shohim ne ata kur vijnë.”

Qeveritë të marrin masa

Sipas tyre shtetet respektive duhet t’i kushtojnë më tepër rëndësi këtyre ngjarjeve, pasi duke i neglizhuar ato mbeten në incidente banale.

“Këto provokime kanë ndodhur përherë. Quhen provokime banale, por realisht duhet të reagojnë edhe shteti shqiptar, si edhe ai kosovar. Madje deri në atë pikë sa të ndërpriten bisedimet. Pasi çfarë kuptimi kanë këto bisedime, kur atje rrihen barbarisht dhe nuk ka asnjë të dënuar. Shqiponja kanë shumë shtete të tjera, jo vetëm flamuri ynë. Ndaj nëse ata kanë ndonjë fobi nga shqiponja, duhet të heqin edhe ata simbolin e vetë.”

“Unë jam racist për vete, nuk i dua as serbët e as grekët. Është çdo gjë reciproke, ata nuk na duan ndaj edhe unë si shumë shqiptarë nuk i dua.”

Ndërkohë disa qytetarë thonë për Tirana Today se racizmin midis njerëzve e nxisin politikanët. Kjo pasi popujt në vetvete janë paqësor.

“Racizmin më shumë e nxit politika sesa vetë njerëzit. Serbët janë njerëz paqësor, si ne. Ndërsa për ata djemtë që u rrahën, nuk mund të them se cili e pati fajin.”

“As popujt e as politikanët nuk e kanë atë frymën e bashkimit. Nuk besoj se do të pajtohen ndonjëherë. Pasi dhe politikanët që e promovojnë këtë gjë, e bëjnë për interesa personale.” TIRANA TODAY

Kthehu