Politikë

Rama në Bruksel, Meta në Tiranë: Të hapen sa më parë negociatat me BE-në

               Publikuar në : 18:26 - 21/03/18 lm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkoj të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE-në. Kërkesa e presidentit iu drejtua Komitetit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilët ishin të ftuar sot në Presidencë.

Jo më larg se dje kryeministri Edi Rama nga Brukseli kërkoj hapjen e negociatave duke thënë se Shqipëria meriton çeljen e negociatave me BE. Deklarata e Ramës u bë në takimin “miqtë e Shqipërisë” . Kryeministri tha se ajo që është arritur deri tani është një arritje e madhe  dhe nuk duhet zhvlerësuar.

Këto dy ditë kreu i shtetit dhe i qeverisë mbajnë të njëjtin qëndrim dhe kërkojnë me ngulm hapjen e negociatave sepse sipas tyre Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për të nisur dialogu.

Ndërsa sot, presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.

Ai vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumë palësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit.

Kreu i Shtetit ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.

Kthehu