Kryesore

Qeveria ‘sfidon’ Gjermaninë, rrit pagat për mjekët e infermierët

               Publikuar në : 17:18 - 11/10/18 S.N

Kërkesa e shtetit gjerman për mjekë e infermierë bëri që këta të fundit të vërshojnë drejt Gjermanisë.

Por, duket se qeveria shqiptare po mundohet të gjejë forma nga më të ndryshmet për të mbajtur në atdhe mjekët e infermierët.

Së fundmi, mjekët, infermierët dhe punonjësit me arsim të lartë që janë pjesë e sistemit të shëndetësisë do të përfitojnë rritje page. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe ka hyrë në fuqi, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot vendimin e qeverisë dhe rritjet e pagave për secilën kategori përfituese që është pjesë e sistemit shëndetësor në vend.

Kështu, shtesa në pagesë për vjetërsi pune do të ketë një vlerë 2% më të lartë krahasuar me vitin e kaluar. Por, gjithashtu, shtesë në rrogë do të ketë edhe për kualifikimet që disponojnë punonjësit; për pozicionin që kanë; si dhe për kushtet e punës në të cilat ushtrojnë profesionin.

Vendimi i qeverisë
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr 555, datë 11.8.2011 “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e forcave të armatosura”.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, si dhe të ligjit nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Në vendimin nr. 555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijojnë: a) Në lidhjen nr. 1, të përmendur në pikën 2, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme: i. kreu 1.2 zëvendësohet me kreun 1.2, me titull “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij; b) Në lidhjen nr. 2, të përmendur në pikën 3, kreu 2.2 shfuqizohet.

2. Efektet financiare, për vitin 2018, të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për këtë vit dhe të fillojnë: a) Për punonjësit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, nga momenti i transferimit të punonjësve në pozicionet e reja pas miratimit të strukturave dhe të organikave përkatëse; b) Për parashikimet e tjera, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”,-theksohet në vendimin e qeverisë. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Përfituesit
Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen: mjekët dhe punonjësit e tjerë me arsim të lartë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë; mjekët dhe punonjësit e tjerë me arsim të lartë, civilë në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes; infermierët e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë; infermierët e sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes. “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit me arsim të lartë, të përmendur në pikën 1, shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të këtij vendimi, caktohen sipas lidhjes nr.1 (kreu 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10) dhe lidhjes nr.2 (kreu 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. 3. Paga e grupit, kolona 1: a) e lidhjes nr.1, diplomë e shkollës së lartë, është 13 000 (trembëdhjetë mijë) lekë në muaj; b) e lidhjes nr.2 përcaktohet sipas lidhjes nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi. – “Paga e grupit 1” u jepet punonjësve me diplomën e shkollës së lartë të infermierisë. – “Paga e grupit 2” u jepet punonjësve me: a) diplomë të shkollës së mesme mjekësore; b) diplomën e shkollës së mesme dhe dëshminë e kualifikimit të kurseve 1- dhe 2-vjeçare, për degën infermier/mami, ndihmësinfermier/ndihmësmami. – “Paga e grupit 3″ u jepet punonjësve me arsim nëntëvjeçar”,-thuhet në vendim.

Kthehu