Pse Marksi e kishte gabim - Tirana Today

Pse Marksi e kishte gabim

Nga Carl Bild, “Project Syndicate”/Stockholm- 200-vjetori i lindjes së Karl Marx, shkaktoi një rritje të interesit mbi veprën e këtij të fundit, e kompletuar me zbulimin e një përmendoreje në qytetin e tij të lindjes në Trier të Gjermanisë.


Në një aktivitet përkujtimor në Pekin javën e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se “si një agim diellor, kjo teori ndriçoi shtegun e eksplorimit nga njerëzimi të ligjit të historisë, dhe çoi në përpjekjet për çlirim”.

Ai do të vazhdonte, duke pohuar se Marx “tregoi, me teorinë shkencore, rrugën drejt një shoqërie ideale pa shtypje apo shfrytëzim, ku çdo person do të gëzonte barazi dhe liri”.

Duke pasur parasysh faktin se fjalët e Xi-it u shprehën në Kinën “marksiste”, ata që ishin të pranishëm, nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të binin dakord me to.

Megjithatë, duke folur në Trier në të njëjtën ditë, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, bëri një vlerësim të tijin disi bujar:”Sot Marx mbahet përgjegjës mbi gjëra, për të cilat nuk është dhe që nuk i ka shkaktuar, sepse shumë nga ato që ai shkroi, u deformuan”.

Nuk është plotësisht e qartë, se çfarë do të thotë me këtë Juncker. Zaten, marksizmi u shkaktoi një mjerim të pa rrëfyer dhjetëra miliona njerëzve, që u detyruan të jetojnë nën regjime që valëvisnin flamurin e tij.

Në pjesën dërrmuese të shekullit XX-të, 40 për qind e njerëzimit vuajti nga uria, gulagët, censura dhe forma të tjera të shtypjes në duart e marksistëve të vetëshpallur.

Në fjalimin e tij, Juncker dukej se aludonte argumentimin standard:se mizoritë komuniste gjatë shekullit XX-të, ishin pasojë e një lloj shtrembërimi të mendimit të Marksit, për të cilin vetë filozofi, vështirë se mund të mbahet përgjegjës.

A ka ndonjë gjë për këtë argument? Marx e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, duke analizuar ekonominë politike të perëndimit industrialist, në mesin e shekullit XIX-të.

Por rëndësia e tij e qëndrueshme, i detyrohet më shumë ideve të tij për të ardhmen, dhe implikimet që do të kishin ato për shoqërinë njerëzore. 

Duke konsideruar trashëgiminë e tij, kjo fushë e mendimit të tij s’mund të shpërfillet. Marx e konsideronte pronën private si burim të gjithë të keqes në shoqëritë kapitaliste të kohës së tij.

Prandaj, ai besonte se vetëm duke e zhdukur atë, mund të shëroheshin ndarjet klasore të hoqërisë, dhe do të sigurohej një e ardhme harmonike. Nën komunizëm, pohoi më vonë bashkëpunëtori i tij Friedrich Engels, vetë shteti do të bëhej i panevojshëm dhe “do të zhdukej”.

Këto pohime nuk u bënë si spekulime, por si pretendime shkencore, për atë që ruante ardhmja. Por, natyrisht, gjithçka ishin kotësira, dhe teoria e historisë së Marx-it – materializmi dialektik – u dëshmua që atëherë të ishte e gabuar dhe e rrezikshme, praktikisht në çdo aspekt.

Filozofi i shkëlqyeshëm i shekullit XX-të, Karl Popper, një nga kritikët më të fuqishëm të Marksit, e quajti me të drejtë këtë të fundit një “profet të rremë”. Dhe, nëse duhen më shumë prova, vendet që përqafuan kapitalizmin në shekullin XX-të, u bënë më vonë shoqëri demokratike, të hapura dhe të begata.

Në të kundërt, çdo regjim që ka hedhur poshtë kapitalizmin në emër të marksizëm, ka dështuar – dhe jo rastësisht, apo si rezultat i disa keqkuptimeve fatkeqe doktrinave nga ana e ndjekësve të Marx-it.

Zhdukja e pronës private, dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi ekonominë, jo vetëm që e privon shoqërinë nga sipërmarrja e nevojshme për ta ecur përpara; por zhduk vetë lirinë.

Për shkak se marksizmi i trajton të gjitha kontradiktat në shoqëri si produkte të një lufte klasore, të cilat do të zhduken kur të zhduket prona private, kundërshtimi pas vendosjes së komunizmit është i pamundur.

Sipas përkufizimit marksist, çdo sfidë ndaj rendit të ri, duhet të jetë një mbetje e paligjshme e rendit shtypës që ekzistonte më parë. Kësisoj, regjimet marksiste kanë qenë në fakt zgjatime logjike të doktrinave të tij.

Sigurisht Juncker ka të drejtë kur thotë që Marxi- që vdiq 34 vjet para Revolucionit Rus – nuk ishte përgjegjës për gulagët, por idetë e tij ishin qartësisht fajtore.

Dyqind vjet pas lindjes së Marx, është padyshim e mençur të reflektohet mbi trashëgiminë e tij intelektuale. 

Sidoqoftë, ne duhet ta bëjmë këtë jo duke festuar, por duke i imunizuar shoqëritë tona të hapura, kundër tundimit totalitar që ngrihet mbi teoritë e tij të rreme.

Shënim: Carl Bildt, ishte ministri i Jashtëm i Suedisë gjatë viteve 2006-2014 dhe kryeministër në vitet 1991-1994, kur negocioi pranimin e Suedisë në Bashkimin Evropian.


Kategori
OpinionTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu