Editorial - Opinione

Pse armët e Moskës, po i shqetësojnë kaq shumë SHBA-të

               Publikuar në : 19:07 - 03/10/18 lm

Nga Marco Petrelli “eastwest.eu”/ “Shtetet e Bashkuara, sapo na kanë vendosur disa kufizime të rëndësishme tregtare, dhe na kanë kanë vënë thikën në fyt. E si mund të ketë negociata me to?”- tha me ton të lartë Shouen Uang, zv/ministri kinez i Tregtisë, pasi më 24 shtator Uashingtoni imponoi tarifa të reja doganore ndaj Pekinit, në shifrën e konsiderueshme prej 200 miliardë dollarë mallra.

Tensioni i madh midis dy vendeve, po konsumohet edhe në fronte të tjera. Më 20 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, njoftoi vendosjen e sanksione kundër Departamentit kinez të Mbrojtjes dhe titullarit të tij, Li Shangfu, për blerjen e avionëve luftarakë rusë Sukhoi-35 dhe sistemin rus të mbrojtjes anti-ajrore S-400.

Përtej luftës së masave, ajo që e shqetëson më shumë politikën amerikane në “teatrin” e Azisë, është forcimi i marrëdhënieve Kinë-Rusi, i ngadaltë por progresiv, që një muaj më parë shënoi një moment të rëndësishëm, me pjesëmarrjen e trupave kineze në stërvitjen e Vostokut, ku të dyja ushtritë testuan ndërveprimin mes tyre. Një koncept ky jo i ri, duke pasur parasysh se që në vitin 2010, Pekini njoftoi blerjen e baterive të lëshimit të raketave tokë-ajër S-300, në prodhim që nga mesi i viteve 1970, të përmirësuara në disa versione. Në fakt shqetësimet e komunitetit amerikan të mbrojtjes, nuk përqendrohen vetëm tek kjo armë, por tek një sistem kompleks i eksportit të armëve, që i garanton Moskës të ardhura ekonomike të mëdha, dhe mundësi për të ndërtuar partneritete biznesi me shumë vende rreth botës.

Që në vitin 1994, profesori i Universitetit të Xhorxhias, Igor Kripunov, e vlerësoi në 20 miliardë dollarë xhiron e Bashkimit Sovjetik në tregun e armëve, deri në fundin e viteve 1990. Fundi i shtetit komunist, i reduktoi të ardhurat në 2 miliardë, duke ruajtur një cilësi armësh relativisht të ulët. Cilësi e dobët, por marrëdhënie të mira:Pas ngjarjeve dramatike në sheshin Tiananmen në Pekin, dhe embargos së imponuar nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Kinës në fushën e mbrojtjes, kjo e fundit gjeti tek Rusia një kanal të rëndësishëm të furnizimit, gjë që ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pas luftës së parë dhe të dytë të Çeçenisë, të zhvilluar nga rusët me pajisje të vjetruara, epoka Putin pa një program të modernizimit të Forcave të Armatosura. Që nga viti 2008, Marina dhe Forcat Ajrore ruse kanë investuar fonde të mëdha për forcimin e fuqisë ajrore, që përfshijnë përmirësimin dhe ndërtimin e rreth 700 avionëve luftarakë derin në vitin 2020. Një program ambicioz, që megjithatë ka një kosto të konsiderueshme:66 miliardë dollarë. Përtej kombeve që ishin dikur pjesë e Paktit të Varshavës, dhe që sot janë anëtarë të NATO-s, vendet e tjera të Azisë dhe Afrikës numërojnë produkte të ndryshme sovjetike në arsenalin e tyre.

Ky është rasti i Algjerisë, që ka shpenzuar 9 miliardë dollarë për të përmirësuar forcat e saj të armatosura. Një investim rekord, më i larti i regjistruar në Afrikë, i motivuar nga nevoja për ta bërë republikën e Afrikës së Veriut më të sigurt nga sulmet e grupeve rebele, si Al-Kaida Magrebi Islamik, por edhe nga destabiliteti në zonat fqinje. Blerësit e armëve ruse janë kryesisht fuqi të vogla, që gjithsesi investojnë shumë të mëdha, nga brigjet e Mesdheut jugor deri në Indokinë. Për shembull, Vietnami investon sot 5 miliardë dollarë çdo vit për ushtrinë, shumë që do të rritet deri në 6 miliardë dollarë në vitin 2020, dhe ku Moska është partnerja ushtarake kryesore.

Një biznes, që vlerësohet se i ka sjellë Moskës 14 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2016. Një shifër e rëndësishme, që e bën federatën ruse furnizuesin e dytë më të madh në teknologjinë e  armatimeve pas Shteteve të Bashkuara. Veç biznesit, kjo i lejon Moskës të krijojë marrëdhënie diplomatike me vendet e treta, me këto të fundit që detyrohen pastaj t’i drejtohen gjithnjë të njëjtit prodhues, për furnizime shtesë dhe përmirësimin e sistemit.

Dhe ky është thelbi i shqetësimit amerikan, pra që partneriteti i biznesit mund të jetë një Kalë Troje, për të zgjeruar apo forcuar ndikimin e Kremlinit në Lindjen e Mesme, në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Largët. Nga ana tjetër, nga një pikëpamje thjesht ushtarake, shpenzimet ruse të mbrojtjes, janë të papërfillshme krahasuar me 900 miliardë dollarët e SHBA-së dhe NATO-s të marra së bashku. Për më tepër, është shumë e vështirë që sistemet S-300 dhe ‘vëllezërit’ e tij më të mëdhenj S-400, të lëshohen nga platformat dhe anijet e lëvizshme, sepse kjo do të shkaktonte një luftë në shkallë globale.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu