Editorial - Opinione

“Provokacija” e Mustafa Nanos, një replikë me Armand Shkullakun

               Publikuar në : 18:27 - 22/02/18 lm

Nga Elvin Luku/ Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte pjesë e programit më të ri “Provokacija” të gazetarit dhe opinionistit të njohur, Mustafa Nano, në ABC News.

E ndoqa me shumë kërshëri, pasi Nano ka një stil krejt unik në bisede, që e identifikon në raport me programet e tjera talk show në treg. Aq më shumë që ai mendon dhe për improvizimin e një interviste në dukje spontane për sytë e shikuesve, çka më intrigon edhe më shumë nga pikëpamja profesionale.

Edhe këtë herë opinionisti-moderator nuk më zhgënjeu! Ndonëse pak vulgare nga këndvështrimi estetik, plani hapës i intervistës ishte ai i dy palë këmbëve (atleteve) mbi tavolinë, që u shoqërua me një monolog hyrës së drejtuesit të emisionit, mbi atletet e famshme të kryeministrit, që kohët e fundit ka zënë hapësira të tëra në gazetat, televizionet e portalet vendase e të huaja.

Shkurtimisht, tema që u trajtuar ishte “look-u” i kreut të qeverisë, Edi Rama dhe ndikimi i tij në politikëbërjen lokale dhe atë ndërkombëtare.

Pas këtij programi, atletet e kryeministrit i dhanë po kaq jehonë dhe “Provokacijes” së Mustafa Nanos, i cili po ashtu pushtoi gazetat, portalet dhe rrjetet sociale. Madje, ky program tërhoqi dhe vëmendjen e një tjetër analisti të njohur, si Armand Shkullaku, i cili i kushtoi një opinion të tërë “dështimit” të Ramës për të shfaqur veten e tij, në një intervistë intime, përtej show-t të zakonshëm politik.

Qasja e dy analistëve, i pari me emisionin ndërsa i dyti me “lapsin” e tij, ishin një “provokacija” për mua si shikues, lexues por dhe si gazetar. Përse?!

E para, sepse pesha e rëndë e logos “Provokacija” për nga mënyra sesi vijoi biseda në studio me kryeministrin Rama më ngjau si një “Gudulisje” me Mustafa Nanon, një bisedë-llustër që s’bëri asgjë tjetër veçse “çoi sërish ujin në kopshtin” e kreut të qeverisë;

Së dyti, sepse veshja e Ramës, në gjykimin tim, do të përbënte lajm dhe do ishte temë e denjë për një diskutim 30-minuta në prime-time, nëse ajo do të ishte vetëm formale, sikurse parashikon kodi i veshjes së një kryeministri. Fakti që ai herë pas here “ngacmon” opinionit publik me atlete apo poture, janë më se normale për karakterin dhe profilin e tij;

Së treti, përtej shpirtit opozitar të Shkullakut ndaj kryeministrit, me të cilin unë jam përgjithësisht dakord, duke fokusuar kritikën te paaftësia e Ramës për të shfaqur vetveten, zhvendoset vëmendja ndaj kësaj puntate-propagandë, çka në gjykimin tim ishte thelbi i çështjes që duhet të na shqetësonte të gjithëve ne si gazetarë.

Duke patur një tjetër opinion për peshën e mendimit të Mustafa Nanos, të ngulitur edhe për shkak të qëndrimeve radikale ndaj një ish kryeministri, mbeta i habitur nga gazetaria e tij rozë përballë një kryeministri në detyrë!

Po ty nuk të habiti ndopak Shkullak?!

“Gudulisja” e Mustafa Nanos ishte, në fakt, “Provokacija” e vetme që ai na ofroi në gjysmë ore intervistë me Edi Ramën…   

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu