Preshevë/Arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje APN-LRPDSH - Tirana Today

Preshevë/Arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje APN-LRPDSH

Kryetari i Alternativës Për Ndryshim, Shqiprim Arifi ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëqeverisje me liderin e LRPDSH-së, Sami Salihun.


Në dokumentin e firmosur, palët bien dakord për disa pika, ndër të cilat: zhvillimin e përgjithshëm të Komunës së Preshevës, qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, harmonizimin e politikave lokale me politikat rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, ngritja e efikasitetit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Kryetari Shqiprim Arifi me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes politike me LrPDSh ka publikuar një deklaratë për qytetarët e Komunës së Preshevës:

Shkrimi i plotë i kryetarit Arifi në rrjetin social Facebook:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,

Të nderuar anëtarë dhe simpatizant të Alternativës për Ndryshim,

Kam nderin tˋju njoftoj lidhur me marrëveshjen politike për bashkëqeverisje që kemi nënshkruar sot me Lr PDSH-në e cila do të shërbejë si platformë e përbashkët për koalicionin qeverisës në katër vitet e ardhëshme në Komunën e Preshevës.

Vitet e kaluara ishin sfiduese për Komunën e Preshevës, lidershipi i stërvjetëruar politik kishte shfaqur haptazi interesat e tyre klanore mbi ato kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo katrahurë është rezultat i një sistemi historik të ngritur mbi bastardimin e konceptit të demokracisë, për të (keq)qeverisur si vegël e përmbushjes së interesave të pakicës mbi interesat e shumicës.

Koha është që të ndërtojmë një politikë prosperuese europiane në bazë të meritokracisë; mbi atë totalitare dhe autokrate që na kishte kapluar gjerë më tani. Duhet qëndruar fuqishëm ndaj këtyre parimeve, meqë këto nuk kanë alternativë tjetër vepruese dhe politike.

Unë jam mëse i sigurt, se Presheva ka një ardhmëri të mirë dhe për këtë ja vlen që secili prej nesh të angazhohet dhe të sakrifikojë në forma dhe mënyra të ndryshme. Jam mëse i motivuar që në ditët dhe javët e ardhëshme të bashkëbisedojmë, të kuvendojmë, të shthurrim vizionet tona për vendin tonë. Jam i hapur për çdo kritikë konstruktive, ide dhe propozime nga ju të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës, që së bashku tˋi artikulojmë zgjedhjet politike duke konstruktuar një model bashkëqeverisës në mes jush dhe organeve ekzekutive si dhe legjislative të Komunës sonë. Andaj kjo do të ishte garancë që tˋi shmangemi keq’qeverisjes dhe të pamundësojmë skemat e kapjes së institucioneve lokale në interes të pakicës dhe oligarkëve ekonomik.

Ndryshimet sistematike mund të ekzekutohen vetëm larg indiferencës dhe apatisë kolektive ndaj pushtetit lokal. Në dekadat e kaluara është ndërtuar një përceptim i gabuar se në aktivitetet e pushtetit lokal, qytetarët nuk duhen të participojnë. Në këtë mënyrë lidershipi i stërvjetëruar ka abuzuar skajshmërisht, duke ikur nga përgjegjësia dhe llogaridhënja ndaj qytetarëve të Komunës së Preshevës. Kjo tani më përfundimisht do të stopohet, për të sjellur një qeverisje të përbashkët me qytetarët mbi parimet dhe vlerat elementare demokratike.

Unë jam i vetëdishëm se më duhet të punoj pandërprerë për të sjellur besimin tuaj tek institucionet tona lokale. Mbi të gjitha kam kuptuar se, të stërvjetëruarit kanë keqpërdorur besimin tuaj dhe kanë zhvatur Komunën tonë vite me rradhë.

Prandaj më duhet medeomos të startoj që nga dita e parë, për të ndërtuar një frymë mirëbesimi dhe respekti të ndërsjellë mes nesh, por pa i ikur konfrontimeve politike, mendimeve ndryshe të cilët rrjedhimisht na kualifikojnë për një model të përbashkët qeverisës. Tubimet, manifestimet, tryezat e hapura, dhe kabineti im, do të jenë vendet ku do të takohemi për të biseduar për të gjitha sferat e rëndësishme jetike në Komunën tonë.

Tani është koha për të punuar, për ti harruar inatet politike dhe sëbashku për tˋu përpjekur maksimalisht për një Preshevë më të mirë, të cilën e kemi merituar!


Kategori
Lugina e PreshevësTë GjithaTrevat
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu