Presheva mirëpret Erdoganin, Ramën dhe Vuçiçin në Qershor; Ç'fitojnë shqiptarët nga takimi? - Tirana Today

Presheva mirëpret Erdoganin, Ramën dhe Vuçiçin në Qershor; Ç’fitojnë shqiptarët nga takimi?

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm në Preshevë. Erdogan do të takohet me homologun serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Edi Rama. Gazetari Ylli Pata duke ju referuar burimeve diplomatike konfirmon se takimi do të zhvillohet në muajin qershor.



Takimi zhvillohet si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të rritur bashkëpunimin në Ballkan. E ngjashme me vizitën e Novi Pazarit, ku Erdogan lançoi një plan investimesh në ndihmë të popullsisë, edhe në Preshevë pritet të jepet mesazhi i kontributit të Ankarasë për të stabilizuar raportet në Ballkan.

Në Preshevë, pritet që si Vuçiç e si Rama, e pa diskutim Erdogan, të flasin për një dialog intensiv mes shqiptarëve dhe serbëve.



Kohët e fundit nga subjekte politikë shqiptare të Preshevës është rritur doza e kërkesës për shkëmbimin e territoreve ndërmjet veriut të Kosovës dhe Preshevës, në rast një ndarje të mundshme të tre komunave mbi lumin Ibër.





Siç mësohet, takimi i Preshevës do të tentojë të shkurajojë zgjidhjet traumatike dhe të krijojë mundësi më të madhe të një bashkëjetese të shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, kreu i Alternativës për Ndryshim ka marrëdhënie të mira si me kryeministrin Rama, por edhe me presidentin Erdogan.

Pikërisht ky fakt do të shërbejë që të ndërtohet një raport me besim të ndërsjellët mes Arifit dhe presidentit serb Vuçiç, megjithëse dialogu mes tyre ekziston.

Ka shumë gjasa që të promovohet një platformë e përbashkët e shqiptarëve të Preshevës, e cila ngjashëm si ajo e shqiptarëve të Maqedonisë të kthehet në axhendë qeveritare.

Por kjo do të kërkojë një proces të kujdesshëm negociatash mes palëve, ku mësohet se Ankaraja do të zhvillojë përpjekje për ta promovuar dialogun.

Vizita e Erdogan në Preshevë pritet me interes të posaçëm, pasi nga shqiptarët Ankaraja shikohet si një aleat i rëndësishëm që mbron interesat e tyre.

Ndërkohë edhe Vuçiç ka ngritur një raport të rëndësishëm me Turqinë dhe vetë Erdoganin, duke zbutur pengesat që kanë ekzistuar mes palëve.

Disa kompani turke kanë hapur në Preshevë fabrika të industrisë së lehtë të tipit fason. Këtë vit pritet që të zgjerohet ky investim, duke u lidhur me rrjetin që është ngritur në Novi Pazar, ku ekzistojnë një numër i madh fabrikash të tilla.

Këto njësi industriale rrisin punësimin, një plagë kryesore në Luginën e Preshevës, por nga ana tjetër ndikojnë edhe në rritjen ekonomike të zonës.

Kompanitë turke po e shohin gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor si një treg tërheqës dhe vit pas viti po afrohen në të gjitha fushat ekonomike, që nga industria e lehtë e ushqimore, deri tek energjia, metalurgjia e rëndë dhe transportet./tesheshi/


Kategori
Lugina e PreshevësTë GjithaTrevat
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu