Shqipëria

Plehrat shqiptare “pushtojnë” Kroacinë dhe Malin e Zi

               Publikuar në : 15:40 - 22/02/18 Nijazi Mema

Kur kanë mbetur edhe pak muaj nga nisja e sezonit turistik, tri vendet si Kroacia, Shqipëria, dhe  Mali i Zi, janë angazhuar për të pastruar nga plehrat detin Adriatik.

Turizmi dhe pushimet verore gjenerojnë shumë vizitorë, por kushtet aktuale nuk janë optimale për një fluks vizitorësh në brigjet e Adriatikut.

Vendet që përfitojnë ekonomikisht shumë nga Adriatiku, janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme lidhur me eliminimin e ndotjes së këtij deti. Gjatë një takimi të mbajtur në Dubrovnik të Kroacisë përfaqësues të qeverive respektive nënvizuan situatën problematike, impaktin tek turizmi si dhe ndërhyrjet alternative.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Ministri i Mjedisit dhe Energjisë i Kroacisë ,  Tomislav Ćorić, dhe  ministri i Mjedisit I Malit të Zi  Pavle Raduloviç vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis tre shteteve. Më në detaj Klosi solli në vëmendje masat e marra nga pala shqiptare ku mes të tjerave operacioni “Clean and Green 2020” që synon pastrimin e Shqipërisë nga ndotja dhe gjelbërimin e saj, po jep rezultatet e tij të para.

Po bëhet skanimi i të gjitha bizneseve që ndotin lumenjtë dhe do të merren masa ndëshkimore për çdo subjekt që depoziton mbetje në lumenjtë pranë veprimtarisë së tyre.”- tha ministri Klosi nē këtë takim. Ministri kroat i Mjedisit dhe ai i Malit të Zi sollën gjithashtu masat respektive që po merren në vendet e tyre, për të eliminuar ndotjen e ujërave detare.

Përvoja e Kroacisë ka në thelb krijimin e një fondi të mjedisit si një mekanizëm për zgjidhjen e problematikave mjedisore.

Ministrat e të tre vendeve theksuan rëndësinë e mjedisit të pastër dhe turizmit të qëndrueshëm, si dhe zbatimin e Konventës së Barcelonës. Ministri Klosi dhe homologët e tij ndanë të njëjtin mendim për një bashkëpunim më të fortë për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me ndotjen detare në Detin Adriatik.

Nga ana e saj Republika e Kroacisë, si një Shtet Anëtar i BE-së garantoi se do të bëjë përpjekje shtesë për të siguruar financimet nga BE, si dhe do të  ofrojë asistencë teknike Shqipërinë dhe Malin e Zi.  pala kroate gjithashtu shprehu gatishmërinë për të shkëmbyer informacion në lidhje me zbatimin dhe forcimin e legjislacionit në fushën e menaxhimit të mbetjeve  detare dhe projekteve që lidhen me zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit.

Ministrat ranë dakord që takimi i radhës në nivel operacional të mbahet në Zagreb në prill të këtij viti, ndërsa takimi i nivelit të lartë është parashikuar të mbahet në Shqipëri gjatë muajit qershor.

Kthehu