Kryesore

Plaken shqiptarët, pasojat alarmante të uljes së popullsisë

               Publikuar në : 17:37 - 10/05/18 S.N

Prej vitesh plakja e popullsisë në vendin tonë është duke u rritur me nivele shqetësuese. Sipas të dhënave të INSTAT, që prej janarit 2017 deri në janar të vitit 2018, popullsia pësoi rënie me 0.2%. Faktorët kryesorë sipas sociologëve lidhen me pasiguritë ekonomike, ulja e lindshmërisë dhe emigracioni.

Sociologët Gëzim Tushi dhe Entela Binjaku në një intervistë për Tirana Today analizojnë situatën demografike në vend.

Sipas tyre ritmi i shpejtë, më të cilin po ecën plakja e popullsisë në Shqipëri, do të sjellë pasoja shumë të rënda për shoqërinë. Mes të cilave zhbalancimin e mëtejshëm të numrit të kontribuuesve dhe përfituesve të skemës së pensionit.

Ulja e fuqisë punëtore sipas sociologëve mund të sjellë edhe mungesën e investuesve në një treg me krahë pune moshë të madhe.

“Pothuajse të gjitha fshatrat shqiptare janë zbrazur në shkallën 30%, gjë e cila reflektohet në tokat e papunuara dhe zona rurale gjithmonë e më të plakura. Ne kemi ardhur në një koncept të ri, është rritja e moshës së katërt, ku përshihen më të moshuarit e të moshuarve.  ”-shprehet Binjaku.

“Fakti që sot kemi më shumë se 12% mbi moshën 65 vjeç, apo që numri i lindjeve ka rënë me 1.67%, që numri i fëmijëve në moshën 0-14 vjeç është pakësuar në 500 mijë nga 1 milion; janë shifra që flasin,”- thotë sociologu Tushi.

Sociologët i bëjnë thirrje shtetit, shoqërisë civile dhe mediave që ta trajtojnë me sa më shumë kujdes dhe vëmendje këtë çështje.

“Politikat shtetërore janë të parat që duhet ta favorizojnë këtë proces. Duhet të krijohet një strategji kombëtare, që të ndikojë me politika që nxisin natalitetin, që zbusin emigracionin dhe që përmirësojnë kushtet e jetës këtu,”- shton Tushi.

Ndërkohë, sociologia Binjaku ngre shqetësimin e mungesës së politikave të duhura sociale.

“Politikat sociale janë pothuajse politikat e një lëmoshe. Politikat që duhet të ndjekë shteti, duhet të jenë të lidhura me zhvillimet ekonomike afatgjata.”

Sipas një krahasimi të Eurostat për zhvillimet demografike në Evropë, Shqipëria është plakur me ritme shumë më të shpejta se vendet e tjera të kontinentit.

“Vendet e rajonit, edhe pse në termat e parametrave jemi pothuajse të përafërt, por shoh më shumë reagim. Në vende të tilla si Greqia apo Italia, të cilat flasin në mënyrë të pandërprerë. Ndërsa ne mbetemi pothuajse pasiv në këtë drejtim,”-përfundon Binjaku.

Sociologu Tushi thotë për Tirana Today se rritja e moshës mesatare në vend me një ritëm të lartë, është alarmante.

“Popullsitë evropiane, si Franca e shumë vende të tjera të BE, kanë arritur moshën mesatare 42 vjeç. Por, ne nga një moshë mesatare 27 vjeç që e zuri Shqipërinë në vitin 1990, sot kemi vajtur në 37 vjeç. Pra, ritmet e plakjes në Shqipëri janë nga më të lartat në Evropë, zëmë vendin e tretë”. Tirana Today

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu