Kryesore

Përgjimi Xhafaj-Veliu/Salianji “rrëzon” qeverinë: Ja çfarë do të ndodhë të shtunën

               Publikuar në : 16:41 - 23/05/18 S.N

Video-përgjimi midis Albert Veliut dhe Agron Xhafajt vazhdon të trazojë ujërat politike. Me zbulimin e identitetit të gazetarit Jetmir Olldashi, të tjera pikëpyetje u ngritën. Deputeti demokrat Ervin Salianji në një intervistë për Tirana Today thotë se Albert Veliu, i njohur ndryshe si “dëshimtari X”, ka marrë kërcënime prej shefit të komisariatit të Vlorës dhe nga inspektorë të zonës.

“Unë e njoh prej kohësh z.Olldashi prej investigimeve të mëparshme dhe e kam takuar në momentin që kanë kërkuar mbrojtje dhe garanci në PD. Albert Veliun e kanë kërcënuar shefi i komisariatit dhe inspektorë të zonës në Vlorë. Kjo gjë ndodhi gjysmë ore pasi doli publikimi prej nesh dhe ishte Agron Xhafaj ai që nxori se bëhej fjalë për Veliun si bashkëbiseduesi.

Veliu vjen në Partinë Demokratike sa herë që ka kërcënime, pasi meraku i tij është familja e cila sipas tij është kërcënuar dhe intimiduar prej Agron Xhafajt.

Edhe pse kanë dalë dy publikime të tjera nga gazetari Jetmir Olldashi, mbi lehtësinë që gjendet droga në Vlorë, nuk ka nisur asnjë procedim nga Prokuroria e Përgjithshme apo e Krimeve të Rënda.”

Është një blof nga PD apo një tjetër skandal droge në radhët e qeverisë? Gazetari Olldashi deklaroi se materialin e dorëzoi në PD në muajin prill, dhe sipas demokratëve është i vërtetuar autenticiteti i audio-përgjimit. Por, pak ditë pasi u bë publike, Kryeministri tha bëhej fjalë për një mashtrim. Mes akuzave dhe kundër akuzave, manipulimeve dhe të vërtetave, çështja “Xhafaj” pritet të shpërthejë.

“Ka disa elementë që e bëjnë atë audio-përgjim të besueshëm. Kanë qenë takimet e tij të shpeshta me gazetarin, telefonatat me Agron Xhafajn, si edhe kur shkoi ta takojë. Po ashtu, audio e bisedës në lokal dhe gjithë ato çka gjithë shqiptarët tashmë e kanë dëgjuar. Nuk ka njeri në Vlorë, që nuk e di që vëllai i ministrit të brendshëm po kryen këtë trafikë, përveç policisë,”-thotë Salianji për Tirana Today.

Si në çështjen e Habilajve me Tahirin, opozita është e vendosur për të larguar nga posti i ministrit të Brendshëm, edhe Fatmir Xhafajn. Ndaj është lajmëruar për një protestë masive ditën e shtunë, por sipas Salianjit do të jetë jo e rrëmujshme. Duke mohuar fjalët se do të bëhet rrethimi i kryeministrisë.

“Padiskutim që do të jetë një protestë paqësore, ndryshe nga protestat e tjera, kjo do të jetë më masive që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Rrethimi i Kryeministrisë janë propaganda që nuk dalin nga Partia Demokratike, ne do të protestojmë qetësisht.” TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu