Opinion

Perëndimi ka rënë sërish në kurthin e diktatorëve

               Publikuar në : 12:17 - 12/02/18 Bardhi

Nga Maurizio Molinari, “La Stampa”/Torino- Pesëdhjetë vjet më parë, në janar të vitit 1968, udhëheqësi reformist Aleksander Dubçek u ngjit në pushtet në Çekosllovaki.

Ngjitja e tij, shënoi një epokë të shkurtër të njohur si Pranvera e Pragës, e cila përfundoi kur protestat paqësore kundër pranisë së trupave sovjetike në vend, u shtypën me dhunë nga tanket ruse, ndërsa Perëndimi pa gjithçka në mënyrë pasive.

Udhëheqësit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, e arsyetuan vendimin për të mos ndërhyrë në Pragë me atmosferën e Luftës së Ftohtë, e cila i çoi vendet në të dy anët e Perdes së Hekurt, në prag të apokalipsit bërthamor.

Ai mbetet një nga momentet më të errëta të historisë perëndimore, sado e ndriçuar që mund të jetë kjo e fundit nga vlerat dhe të drejtat e prodhuara nga revolucionet britanike, franceze dhe amerikane.

Vendimi për t’i kthyer shpinën protestuesve që kërkonin liri në Pragë, që një moment i verbërisë kolektive, ashtu si Marrëveshja e Munihut e vitit 1938, që i dorëzoi territorin çek Hitlerit, në këmbim të premtimit dinak të diktatorit për të mos nisur luftën.

Në Munih në vitin 1938, dhe sërish në Pragë në vitin 1968, besimi absolut i Perëndimit tek pajtimi, bëri që ky i fundit të binte në kurthin e diktatorëve, dhe të braktiste mbrojtjen e të drejtave dhe lirive demokratike.  Udhëheqësit evropianë mbetën të qetë.

Udhëheqësit perëndimorë, duhet t’i kujtojnë sot ato dështime morale dhe politike – dhe të mësojnë prej tyre – për të mos bërë të njëjtat gabime. Ata duhet t’i ruajnë me fanatizëm vlerat që dallojnë demokracitë nga diktaturat, të respektojnë dhe të mbrojnë të drejtat themelore të çdo qytetari për jetën, lirinë dhe prosperitetin.

Kjo mund të bëhet në mënyra simbolike, sikurse veproi dikur presidenti amerikan Xhon Kenedi në kryeqytetin gjerman në vitin 1963, kur bëri deklaratën e famshme “Ich bin ein Berliner” (Unë jam një berlinez), për të denoncuar shtypjen sovjetike në Lindje, apo presidenti Regan 24 vite më vonë, kur iu lut Moskës të “shembte Murin e Berlinit, duke ndihmuar në nxitjen e shembjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore.

Ne jetojmë në një gjeneratë, ku Perëndimi është edhe një herë i lëkundur përballë shkeljeve të përhapura të të drejtave të njeriut anekënd globit. Për 6 vjet me radhë, ai bëri sehir teksa udhëheqësi sirian Bashar Al-Asad masakroi pothuajse 400.000 qytetarë të tij në luftën civile siriane.

Gjatë 3 muajve të fundit, ai qëndroi mënjanë teksa Iraku, Turqia dhe Irani e shkatërruan ëndrrën kurde për ndërtimin e një shtetit të pavarur, pas një votimi dërrmues në favor të pavarësisë.

Gjatë dy javëve të revoltës mbarëkombëtare në Iran më herët gjatë këtij viti, udhëheqësit evropianë qëndruan të heshtur, ndërsa dhjetëra njerëz u vranë duke protestuar për shpenzimet e shfrenuara të Teheranit për aventurat ushtarake jashtë vendit.

Udhëheqësit evropianë qëndrojnë të qetë, ndërsa 30 milionë venezuelas vuajnë nga uria, varfëria dhe dhuna e regjimit të Maduros.

Dhe ata e harrojnë me shumë lehtësi dhimbjen e 24 milionë koreano-veriorëve, të cilët janë të shtypur brutalisht nga një udhëheqës i fiksuar me grumbullimin e sa më shumë raketave bërthamore. Heshtja e tyre është shurdhuese.

Është e ligjshme të pyesim nëse miliona sirianë, kurdë, iranianë, venezuelas dhe koreano-veriorë ndihen sot po aq të hidhëruar dhe të mashtruar nga sjellja e Perëndimit, sa shumë çekosllovakë në vitin 1968, kur ata pritën më kot për mbështetjen perëndimore, ndërsa tanket sovjetike përparuan mbi ta.

Ne duhet të pyesim veten nëse mos jemi duke bërë të njëjtin gabim sot, duke dështuar t’i zgjasim dorën atyre që dëshirojnë lirinë në Damask, Teheran, Phenian dhe Karakas.

“Paqtimi” i vitit 2018, nuk është se e ka rrënjën tek rreziqet e Luftës së Ftohtë. Këtë herë, ai është i justifikuar nga interesat perëndimore të përcaktuara qartë.

E megjithatë, ai po e shtyn edhe njëherë Perëndimin në të njëjtin kurth të ngritur nga diktatorët, që kanë vetëm një interes:të përfitojnë nga brishtësia e vlerave perëndimore të lirisë dhe demokracisë. 

PËRSHTATI TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu