Ekonomi

Pas katër ditëve në rritje, euro bie sërish. Pse po ndodhin luhatjet

               Publikuar në : 13:58 - 16/05/18 user

Monedha e përbashkët ka shënuar sot një rënie të lehtë në tregun e brendshëm valutor. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 127.28 lekë, me një rënie trë lehtë prej 0.02 lekësh.

Euro i është larguar nivelit më të ulët të 10 viteve të fundit, që u arrit në 9 maj, në nivelin e 126.86 lekëve.

Në krahasim me fillim e vitit, monedha e përbashkët është nënçmuar me gati 6 lekë, ose me 4.3%. Ndërsa në raport me mesin e vitit 2016, kur euro luhatej me 138-139 lekë dhe më pas filloi dhe rënia graduale po e qëndrueshme e monedhës së përbashkët, euro ka rënë me rreth 11 lekë, apo rreth 8%. Ekspertët pohojnë se ky forcim gradual i lekut ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të ofertës në euro nga burime informale (të hyrat nga aktivitetet e pligjshme) dhe formale, si turizmi, apo burimet e tjera të eksporteve sidomos të shërbimeve, investimeve, remitancave etj.

Në muajt e parë të këtij viti, tkurrja e euros ka qenë më e fortë. Aktorët e tregut pohojnë se kanë ndikuar dhe transaksionet për konvertimin e kapitalit të bankave, që kanë qenë në proces shit-blerje nga euro në lekë.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar dhe zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Elisabeta Gjoni, e cila në një intervistë të fundit për Monitor ka pohuar se “Gjithashtu, nga informacionet në shtyp, publiku është njohur me vendimet e disa bankave për të konvertuar pjesë të kapitalit të tyre nga valuta në lek. Ndonëse ky është një veprim normal, plotësisht i mbështetur në kuadrin rregullator, që ka ndodhur edhe më parë, nuk përjashtohet mundësia që lajmi të ketë ndikuar në pritjet e agjentëve ekonomikë për ecurinë e kursit të këmbimit”. Por, ajo thekson se efekti i këtyre veprimeve, të cilat janë të rralla, është tërësisht i përkohshëm. “Për më tepër, bankat po tregojnë kujdesin e duhur që veprimet të shtrihen maksimalisht në kohë dhe të kryhen në momentet më të përshtatshme”, ka pohuar znj.Gjoni.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu