Maqedoni

Pas 33 vitesh qëndrim në Zvicër, shqiptarit i vihet “fshesa”

               Publikuar në : 21:56 - 10/03/18 Nijazi Mema

Një shtetas 38 vjeçar i Maqedonisë, baba i tre fëmijëve, ndonëse jeton prej 33 vitesh në Zvicër, duhet të dëbohet. Lista e delikteve të drogës dhe e borxheve të tij është shumë e gjatë, kështu që Gjykata Federale ka vendosur të caktojë për të masën e dëbimit.

Në Zvicër ka ardhur në moshën 6 vjeçare në kuadër të bashkimit familjar. Në vitin 2000 është martuar me një vajzë nga vendlindja dhe tash me të ka tre fëmijë, të moshave tetë, dhjetë dhe 15 vjeçare.

Zyra kantonale për Migracion i kishte bërë vërejtje para 8 viteve pasi që ai kishte bërë shumë delikte në komunikacion pastaj ishte futur shumë në borxhe si dhe nuk i kishte përmbushur detyrimet e tij financiare. Ndaj tij në atë kohë zyra e përmbarimit (e mbledhjes së borxhit) kishte kërkesa në lartësi prej 132.000 frangave ndërsa borxhet ndaj shtetit kishin arritur në 131 mijë franga. Edhe pas shqiptimit të vërejtjes, ndaj tij kanë vazhduar dënimet për shkelje në trafik. Në qershor të vitit 2013 Gjykata e Qarkut në Frauenfeld e ka dënuar atë për delikte droge me 24 muaj burg me kusht, përcjell albinfo.ch.

Në janar të vitit 2016 Zyra Kantonale për Migracion ia kishte hequr lejen e përhershme të qëndrimit (Vizën C) dhe  kishte vendosur t`ia shqiptonte masën e dëbimit nga Zvicra. Ky vendim qe miratuar si nga Departamenti për Drejtësi e Punë Sociale ashtu dhe nga Gjykata Administrative e Thurgaut. Një ankesë që ai pastaj e bëri në Gjykatën Federale, u hodh poshtë. Kjo pasi gjyqtarët e saj kishin konstatuar se interesi publik për dëbimin e tij peshonte më tepër se interesi i tij privat për të qëndruar në Zvicër.

Duke parë veprimet e tij kriminele, si deliktet me drogë dhe më shumë se 20 dënime që kishte marrë si dhe shpërfilljen për një kohë të gjatë të detyrimeve financiare, si private ashtu dhe afariste, Gjykata Federale konstaton se dëbimi është masë e përshtatshme dhe adekuate.

Nga vendimi gjyqësor kuptohet se ndaj tij janë bërë 420 procedura përmbarimi (kërkimi të borxhit) për shumën e përgjithshme prej 200 mijë frangave si dhe 35 certifikata humbjeje po ashtu në lartësi prej 200 mijë frangave. Ndërsa edhe me firmat që ka themeluar, ai ka krijuar borxhe prej 200 mijë frangash dhe certifikata humbjeje prej më shumë se 15.000 frangave.

Njësoj në gjendje jo të mirë duket edhe jeta e tij familjare. Ai është shkurorëzuar me gruan.

“Me sjelljet e tij ai ka vënë në lojë edhe jetën familjare në Zvicër. Kështu, jetesa e përbashkët e fëmijëve me një baba delinkuent dhe të paintegruar në jetën familjare mund të ketë ndikim negativ te fëmijët. Nëna me tre fëmijët mund ta shoqërojnë atë në Maqedoni por munden po ashtu të mbeten në Zvicër, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu