Partia e re e Patozit/ Rakipi: Më përndjekin si në kohën e Enverit, nuk e lë PDIU-në - Tirana Today

Partia e re e Patozit/ Rakipi: Më përndjekin si në kohën e Enverit, nuk e lë PDIU-në

Aqif Rakipi u lakua si një prej emrave të mundshëm për të qenë pjesë e një partie të re kundër Bashës. Kjo pasi u publikuan disa foto, nga takimi i ish-deputetit Rakipi, me Ridvan Boden dhe Astrit Patozin.


Kaq mjaftoi për të aluduar përfshirjen e tij, me ish-deputetët e Partisë Demokratike. Por, në një prononcim për Tirana Today, Rakipi e mohon këtë gjë, duke thënë se ai është pjesë e një partie, PDIU-së dhe nuk mendon të lëvizë prej aty. Sa i takon takimit në kafe, ai shton se me Patozin është mik shtëpie dhe se nuk është i përfshirë në çështjen e ngritur nga demokratët.

Edhe koha e Enverit, nuk i ndiqte njerëzit në këtë lloj forme. Që të rrish në kafene dhe të shkosh me ide të qarta, se përse po rri, është absurde. Në kafene njerëzit pinë kafe për respekt, qejf. Dhe, unë Astrit Patozin e kam mik shtëpie prej shumë vitesh.

Unë e kam një parti timen dhe nuk kam ndërmend të lëviz, pasi kemi çështjen tonë. Por, se z.Basha nuk ka me çfarë të merret, apo se trembet nga ato, është problemi i tij. Unë nuk kam asnjë punë në këtë gjë.

Si Bode, Patozi etj., janë te partia demokratike dhe problemi i tyre i vetëm është Basha. Ata e dinë vetë se çfarë bëjnë. Por, se pi unë kafe me Astrit Patozin apo Ridvan Boden që i kam miq, nuk më ndalon as Basha e asnjëri. Tani jam duke pirë një kafe me kryetarin tim, Shpëtim Idrizin, le të vijë Basha të më bëjë një foto.”

Rakipi e quan Bashën për Tirana Today, si të vogël në politikë, duke thënë se në kohën kur ai ishte i përfshirë në Partinë Demokratike, kryetari i sotëm, punonte si kamarier.

“Basha e di fort mirë që unë nuk jam prej sot në këtë fushë, para katër vitesh kam qenë në Parlament me to. Por, unë njihem që më parë. Unë kam qenë demokrat para se të vinte Basha te Partia Demokratike. Mirëpo, ai nuk i di këto lëvizje. Unë kam qenë ndër të parët që e kam pritur Azem Hajdarin në Peqin. Basha ka ardhur vonë, është i vogël. Dhe gjatë këtyre viteve, ai ka qenë kamarier në Rinas.

Problemi i z.Basha me mua është se ne si “parti e vogël”, ishim rivalë me partinë e tij të madhe, në votat e fituara në zgjedhjet e qershorit. Unë jam një individ, ku së bashku me kandidatët e mi, në zgjedhjet e kaluara morëm 29 mijë e 500 vota. Kurse ata morën si parti 32 mijë e 500 vota.
Basha me mua ka problemin e votave dhe jo të individit. Por, ai të ketë një gjë të qartë, përsëri përballë do të më ketë dhe kësaj radhe me më shumë vota,”– përfundon Rakipi. TIRANA TODAY


Kategori
KryesorePolitikëShqipëriaTë GjithaTT
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu