Kosova

Paralajmërimi, tjetër deputet braktis Vetëvendosjen?

               Publikuar në : 10:28 - 13/03/18 S.N

Nuk ndalen braktisjet masive në Lëvizjen Vetëvendosje. Së fundmi, një tjetër deputet pritet të largohet. Kjo pasi në krahun e Dardan Molliqajt pritet të radhitet edhe deputeti Salih Salihu, shkruan Gazeta Express.

Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të shpërbëhet edhe më tutje. Sot pritet të japë dorëheqje edhe deputeti Salih Salihu, i cili në zgjedhjet e fundit ka garuar për kryetar të Vitisë nga radhët e Vetëvendosjes.

Në javën që shkoi, janë larguar dy deputetë nga VV. Dorëheqja e Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës ka ngritur reagime të shumta, duke bërë që ky i fundit të ofendohet në mënyra të ndryshme nga aktivistët që i kërkuan edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit.

Këto lëvizje masive vijnë pas problemeve të brendshme që kanë nisur një vit më herët, por që janë mbajtur disi të fshehta për publikun.

Tashmë nga të gjitha strukturat e partisë janë larguar Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Donika Kadaj – Bujupi, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Qëndron Kastrati, Faton Topalli, Frashër Krasniqi, Shqipe Pantina, e së fundmi edhe Shpend Ahmeti e Besa Baftiu.

Në këtë mënyrë Vetëvendosja humb dy komuna, Prishtinën dhe Kamenicën, si dhe shpërbëhet si grupi parlamentar më i madh në Kuvend, pasi që Ymeri dhe Molliqaj veçse kanë paralajmëruar partinë e re.

Kthehu