Kryesore

Operacioni “fshesa”/ 25 punonjës të Hipotekave e ALUIZNI-t shkojnë para drejtësisë

               Publikuar në : 12:14 - 17/06/18 marsela

Të akuzuar për korrupsion, 25 punonjës të administratës publike, përkatësisht të ZRPP dhe ALUIZNI-t janë dërguar për ndjekje penale vetëm gjatë periudhës 16 prill – 30 maj 2018. Mesa duket, masat antikorrupsion të ndërmarra nga qeveria shqiptare, kanë nisur të japin rezultatet e para konkrete.

Gjatë takimeve të zhvilluara në njësitë administrative Orikum dhe Qendër, në qarkun e Vlorës, në kuadër të turit të llogaridhënies, “Puna për Shqipërinë që duam”, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka ndarë me banorët e këtyre zonave masat e marra dhe rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit. 

“Që nga 16 prilli, deri në 30 maj, pra në një periudhë 1 muaj e gjysmë janë dërguar për ndjekje penale 25 zyrtarë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t. Pra vetëm në 1 muaj e gjysmë janë marrë masa represive, duke përfshirë që nga regjistruesit dhe deri te punonjesit më të thjeshtë”, ka deklaruar ministrja Gjonaj. 

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Ministrja e Drejtësisë u është drejtuar me një apel të hapur të gjithë banorëve, që jo vetëm të mos pranojnë të japin rryshfet, por të denoncojnë çdo rast kur punonjësit e administratës u kërkojnë shpërblim, për shërbimet publike që ua garanton shteti pa pagesë. 

“Ju lutem mos pranoni të jepni rryshfet dhe ju lutem përsëri, zyrtarisht dhe personalisht: Denoncojini rastet e korrupsionit. Nuk tolerohet as edhe një”, është shprehur ministrja Gjonaj.

 

Shfaq Komentet (3)
  1. Kur nuk ke deshire dhe vullnet per te punuar dhe sherbyer popullit do hapesh krahun se nuk eshte me koha e LSI te hash e te vjedhesh.

  2. Duhet thene qe kane ndryshuar gjerat ne hipotek dhe aluizn dhe me kto levizjet nga detyra ja u kane mbledhur atyre qe nuk ven aty per te punuar

  3. Me vjen mire qe po e ndryshon sistemin e pronesise se ishte ber nje grop e madhe korrupsioni e askujt nuk ja ndjente per asnje.

Kthehu