Blog

Njeriu lind i robëruar, i lidhur nga zinxhirë dëshirash

               Publikuar në : 17:07 - 04/12/18 lm

Nga Jonida Mukja/ Kisha parë “rëndomë” edhe më parë, por si kjo e sotmja, ndoshta jo. Një zonjë, e thyer në moshë, ishte “zhytur” gjysmë trup mes një vorbulle mbeturinash dhe vetëm kërkonte. E shihja nga larg dhe për çudi si asnjëherë tjetër nuk po më bënte më përshtypje ky fakt që ulërite para syve të mi.

Tashmë më ish bërë e përditshme. Madje isha mësuar, dhe mendoja se  ndoshta mund të kishte edhe më keq se aq. Tek i kaloja afër, pashë që mes duarsh shtrënguar fort, mbante një plastikë të blu të ngjashme me një grep.  Grep?!

Një grep i thjeshtë  ishte për mua, për të ishte grepi i shpresës. Karremi pas së cilit jeta i kish ngecur për së keqi. Ai ishte grepi që e lumturonte dhe e gëzonte me pak. Me të “mbushte” barkun e fëmijëve të pangopur kurrë, dhe i siguronte të ardhmen e gjithë familjes. Teksa afrohesha për në rrugën time, pashë që doli, por e pashpresë!

Në dorë, mbante një simite 10 lekëshe. Më theri në shpirt sepse më la të kuptoja që koshi i mbeturinave për të ishte i vetmi burim ku mund te gjente veç të tjerash edhe bukën. Ishte thesari, ishte i vetmi punëdhënës që dinte si ta trajtonte, fundja dhe e shpërblente duke mos e nxjerrë kurrë duar bosh, apo duke mos ia premtuar dot të ardhmen nesër nëse ajo nuk do të ishte si të tjerët pretendonin.

E pa që ju afrova dhe me një zemërim të thellë mu hakërrye me fjalë: “E di jam e pisët” -më tha “jam e palarë, kam dalë që në 6 dhe ajo ç’ka kam arritur të grumbulloj janë vetëm këto” –  dhe drejtoi gishtin nga një qese e lënë prej saj në një qoshe diku nën kazan.

“Kam 6 operacione në bark” dhe ngriti trikon që kishte veshur – “dhe një në këmbë”. Më duhet të ha, të ushqej fëmijët të mbaj dhe veten. Tim shoq  e kam në psikiatri, vendosa ta shpie atje sepse në shtëpi më duhej dikush ta mbante. Fëmijët i kam të vegjël dikush duhet të mendoj për ta”. Në këto fjalë zonja u largua nxitimthi pa më lënë t’i shpjegohesha pse po e shihja në atë mënyrë. Më vjen të qaj për fatin e këtyre njerëzve, më shumë për një pjesë të mirë prej tyre si e kësaj zonje që askush si ne s’mundet të bëjë diçka për ta.

Kthehu