Blog

Një votë shqiptare për një Maqedoni tjetër

               Publikuar në : 16:33 - 07/09/18 Bardhi

Nga Enver Robelli/A duhet shqiptarët e Maqedonisë të marrin pjesë në referendumin për ndryshimin e emrit të këtij shteti, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Shkupit dhe Athinës? Ka zëra shqiptarë që thonë se ky referendum duhet bojkotuar për arsye të ndryshme.

Gjuha shqipe, thonë ata, nuk është zyrtarizuar në mbarë vendin. Shqiptarët ende trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Postet kyç në aparatin e sigurisë, në ndërmarrjet shtetërore, në sektorin e financave publike, në diplomaci i mbajnë maqedonasit.

Në Mbrëmjet Poetike të Strugës, që u mbajtën në gusht, funksionarët maqedonas të kulturës folën – maqedonisht dhe anglisht. Në hapjen e kësaj ngjarjeje kulturore mori pjesë kryetari i Ohrit, por jo edhe kryetari i Strugës, një shqiptar.

Ai u mjaftua me fjalët: «Nuk kam koment». Ky nuk është arsyetim serioz i mospjesëmarrjes. Një kryetar i Komunës si Struga, e cila banohet nga një shumicë shqiptare, duhet të mbrojë përdorimin e gjuhës shqipe kudo – edhe në këso manifestimesh ndërkombëtare poetike.

Megjithatë, pakënaqësia e arsyeshme e shqiptarëve mbi nivelin e ulët të realizimit të të drejtave të tyre në Maqedoni nuk është arsye për të bojkotuar referendumin për emrin e ri të Maqedonisë dhe zgjidhjen e konfliktit çerekshekullor mes Shkupit dhe Athinës.

Nuk ka asnjë garanci se të drejtat e shqiptarëve do të avancohen nëse Maqedonia mbetet e bllokuar nga Greqia për shkak të emrit. Ka disa vite që Rusia është duke u përpjekur të minojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Aktivitetet e veta Kremlini i ka shtrirë jo vetëm në Shkup. Siç u pa gjatë korrikut: Greqia dëboi dy diplomatë rusë dhe nuk i lejoi dy qytetarë rusë të hynin në vend, për shkak se akuzoheshin për ndërhyrje në marrëdhëniet e Greqisë me Maqedoninë. Moska u kundërpërgjigj duke dëbuar po ashtu diplomatë grekë.

Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme greke thuhej: «Duam t’u kujtojmë miqve tanë rusë se asnjë vend në botë nuk mund të tolerojë përpjekje për t’u dhënë ryshfet zyrtarëve shtetërorë, për të minuar politikën e jashtme dhe për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të tij». Athina akuzoi zyrtarët rusë se po përpiqeshin të nxisnin protesta kundër marrëveshjes me Shkupin, lidhur me emrin e ri zyrtar për Maqedoninë. Implikimi në rritje i Rusisë në rajon nuk është alarm i rremë, siç mund të supozojë ndokush në Shkup, madje edhe në mesin e shqiptarëve.

Njëkohësisht qëkur Maqedonia në korrik mori ftesën për të hyrë në NATO (anëtarësimi pritet të përmbyllet vitin e ardhshëm nëse marrëveshja për emrin pranohet në të dy shtetet) një kompani amerikane, e cila prodhon pjesë për automjete, ka filluar hapjen e një fabrike në Maqedoni.

Brenda dhjetë vjetëve kompania «Dura» do të investojë 38 milionë dollarë dhe punësojë rreth 600 njerëz. Gjatë verës në Maqedoni kanë ushtruar njësi të ushtrisë amerikane, të stacionuara në Kosovë. Njëra prej ambasadave më të mëdha në rajon është ajo amerikane në Shkup. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, u takua muajin që shkoi me kolegun e tij amerikan, Mike Pompeo. Me atë rast pala amerikane theksoi: «Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm Marrëveshjen e Prespës. (…) Presim që referendumi i shtatorit të jetë i suksesshëm; sekretari Pompeo sot shprehu mbështetjen e tij për marrëveshjen dhe ia bëri të qartë ministrit Dimitrov se SHBA presin me kënaqësi anëtarësimin e Maqedonisë si vendi i 30-të i NATO-s».

Votën e tyre për t’ia ndryshuar emrin Maqedonisë shqiptarët duhet ta shohin si hapje të një kapitulli të ri edhe sa i përket realizimit të mëtutjeshëm të të drejtave të tyre. Për të arritur këtë duhet të ketë unitet mes partive politike shqiptare sa u përket synimeve kryesore.

Deri më tani shumica e partive shqiptare e kanë parë pjesëmarrjen në pushtet vetëm si mundësi për zgjerimin e rrjeteve nepotiste. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës me të drejtë theksonte: «Këtu është vendimi për të ardhmen e vendit, për stabilitet, për paqe, për zhvillim ekonomik dhe nga ana tjetër për një status quo, që sigurisht çon në destabilizim dhe paperspektivë të vendit.

Mendoj se qytetarët e kanë shumë të qartë se çfarë duhet të zgjedhin më 30 shtator. Ajo që ne bëjmë gjatë kësaj fushate është t’i informojmë ata me përmbajtjen e Marrëveshjes (me Greqinë), por edhe për pasojat nga epilogu pozitiv ose negativ i referendumit.

Mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm se do të përcaktohet fati i shtetit, i stabilitetit dhe i gjeneratave të ardhshme dhe jam i sigurt se secili kur do të vendosë për fatin e fëmijëve të vet, do të vendosë që vendin ta bëjë më stabil, ta çojë në familjen veriatlantike; kështu që nuk kam dilemë në përcaktimin e qytetarëve për të ardhmen e këtij shteti».

Kur në fund të viteve ‘80 regjimi komunist maqedonas përzinte nga shkollat e mesme nxënësit shqiptarë dhe rrëzonte muret e oborreve të shqiptarëve, pak njerëz kanë besuar se zëvendëskryeministër i Maqedonisë do të jetë edhe një shqiptar.

Kjo tani duket e vetëkuptueshme. Kur në vitet ‘90 policia maqedonase vriste shqiptarë vetëm për shkak se shqiptarët kërkonin universitet në gjuhën shqipe, pakkush ka mundur ta marrë me mend se pak vite më vonë do të ketë dy universitete publike vetëm në Tetovë.

Shkollimi universitar i shqiptarëve sot në Maqedoni është normalitet. A mjaftojnë të gjitha këto të arritura, të cilat shqiptarëve nuk ua kanë falur regjimet (shpesh raciste) maqedonase? Jo, nuk mjaftojnë. Por me Maqedoninë nën ombrellën e NATO-s dhe në rrugë drejt BE-së gjithsesi shtohen shanset për përparim të mbi gjysmë milioni shqiptarë të Maqedonisë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu