Kronikë

Llahtari nga vrasjet në Shqipëri, 5 të vdekur në 24 orë. Çfarë po ndodh kështu?

               Publikuar në : 08:37 - 12/10/18 marsela

Vetëm dje kanë humbur jetën 5 persona. 3 punonjës të Bashkisë humbën jetën në Shëlli të Matit, për shkak të një konflikti me Kujtim Koxhajn. Ai ka qenë njëherësh dhe kryeplak i zonës, dhe kreu i PS-së.

Burimet policore sqarojnë se autori u ka kërkuar punonjësve të Bashkisë që po merreshin me ndërtimin e rrugës, që ta shtronin deri te shtëpia e tij. Banesa ndodhet rreth 10 metra më tej. Punonjësit e kanë kundërshtuar. Ata i kanë thënë se planin e rrugës e kishin të përcaktuar, dhe nuk mund të vepronin ndryshe.

Pas një konflikti mes punonjësve të Bashkisë dhe 51-vjeçarit, ky i fundit është larguar drejt banesës për të marrë armën. Pa e menduar dy herë, ai ka shkaktuar një masakër të vërtetë.

Ngjarja tronditëse ka ndodhur në lokalin ku punonjësit e Bashkisë ishin duke ngrënë drekën. Nga breshëria e armës, u vranë punonjësit e Bashkisë. Mentor Hoxha 36-vjeç, shofer fadrome, Erzen Aliaj 49-vjeç, shofer kamionçine, dhe Hamit Buci 43-vjeç, banor i fshatit.

I plagosur mbeti Astrit Hani, banor i fshatit Burgajet, i cili ndodhet në spitalin e Burrelit. Konflikti mes autorit dhe viktimave ndodhi rreth 2 orë para se të ndodhte masakra.

Pas ngjarjes, autori u largua drejt pyllit të fshatit Burgajet, por u arrestua brenda 1 ore. Kjo falë mobilizimit të rreth 40 forcave policore.

Jo më pak e rëndë ka qenë ngjarja në Babrru. Fillimisht u raportua se një vajzë e mitur kishte ndërruar jetë në spital. Më vonë u konstatua se ajo ishte me plagë thike në trup. Dyshimet paraprake të policisë janë se e mitura mund të jetë qëlluar nga e ëma. E mitura jetonte bashkë me prindërit e saj, të cilët janë shurdhmemecë. Vajza është gjetur nga babai me plagë thike në trup. Më pas është shoqëruar për në spitalin e Traumës, ku ka humbur edhe jetën.

Ndërkohë që viktima e pestë është shënuar mbrëmjen e djeshme, në Tiranë. Një 30-vjeçar i identifikuar me inicialet H. H., 30-vjeç, është vrarë nga shtetasi M. S., 25-vjeç.

Ky i fundit është shpallur në kërkim. Ngjarja e rëndë me pasojë jetën ka ndodhur në rrugën “Bego Hoxha”, në Kombinat. Dyshimet e policisë janë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu