Kryesore

Nesër muaji i Ramazanit/Ahmed Kalaja: Më shumë agjërojnë të rinjtë

               Publikuar në : 17:21 - 15/05/18 S.N

Data 16 maj shënon fillimin e muajit të  Ramazanit. Shumë besimtarë myslimanë agjërojnë për 30 ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë. Gjatë muajit të Ramazanit myslimanët ndalojnë ushqimin, pijen nga agimi deri në perëndimin e diellit, si dhe ndajnë ushqimin me nevojtarët. 

Imami Ahmed Kalaja në një intervistë për Tirana Today thotë se agjërimi është i vështirë, pasi besimtarët duhet të qëndrojnë për 17 orë pa ngrënë dhe pa pirë.

Imami Ahmed Kalaja

“Do të shtrohen iftaret, do të ndihmohen të varfërit, po ashtu nga fundi i Ramazanit duhet që patjetër të japim një lloj lëmoshe për çdo anëtar të familjeve dhe t’ia dorëzojmë të varfërve. Ndaj është një mundësi që njeriu të rregullojë raportet e tij me Zotin, por edhe raportet e tij me njerëzit. Të agjërosh nuk është e lehtë, sidomos këto vitet e fundit që është 17 orë në ditë, ku qëndron pa ngrënë e pa pirë.

Njerëzit nuk falin shumë namazin, ose nuk janë të përkushtuar sa i takon faljes. Por, në Ramazan çështja është më ndryshe, pra gjejmë një përqindje shumë më  të madhe të personave që e mbajnë.”

Edhe pse në Shqipëri feja ka qenë e ndaluar përgjatë viteve të komunizmit, duket se brezi i ri është më i lidhur me fenë. Ku numri më i madh i personave që  agjërojnë janë të rinj, studentë të cilët predikojnë fenë myslimane.

“Shumica e njerëzve që agjërojnë në Ramazan janë pjesa e rinisë. Pjesa e moshave të mëdha ndoshta ka qenë edhe pak e ndikuar prej sistemit që kemi lënë pas. Të rinjtë nuk përbëjnë vetëm pjesën më të madhe të agjëruesve, por edhe frekuentuesëve të xhamisë, janë rreth 90% rini. Numri është në shtim.

Është mbyllur edhe xhamia në qendër për shkak të restaurimit që po bëhet dhe ne e kemi parë që përshembull për Xhuma, numri është dyfishuar. Ndaj, nuk na mbetet tjetër, veçse të dalim në shesh. Nuk ka rrugë tjetër,”-shton Kalaja për Tirana Today. 

Agjërimi do të zgjasë deri në datën 14 qershor, në orën 20:22, kohë kur do të jetë edhe vakti i fundit i agjërimit për këtë vit. Pas 30 ditë agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë festën e Fitër Bajramit që do të jetë me 15 qershor (e premte), e cila vazhdon edhe për dy ditë tjera. TIRANA TODAY

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu