Politikë

Negociatat me BE/Hahn: Kapni peshqit e mëdhenj, ndryshe…

               Publikuar në : 16:44 - 16/05/18 lm

Johannes Hahn u bën thirrje anëtarëve skeptikë të Bashkimit Evropian të mbështesin hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane Stuttgarter Zeitung, Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Hahn kërkon që këtyre vendeve t’u jepet shtysë në procesin e integrimit.

“Skepticizmin e kuptoj dhe nuk them gjithashtu se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë gati për t’u anëtarësuar. Kryerja e reformave të nevojshme për këtë mund të arrihet gjatë procesit të anëtarësimit”.

Për sa i përket mbështetjes së Gjermanisë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Hahn thotë se ka lobuar personalisht në parlamentin gjerman që ky vend të japë mbështetjen për negociatat në Qershor në Këshillit Evropian.

Megjithatë, Komisioneri paralajmëron se pa kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” negociatat do të ndërpriten.  

“Për negociatat e anëtarësimit, ne i kushtojmë shumë rëndësi zbatimit të ligjeve, dërgimit me të vërtetë të rasteve të korrupsionit para drejtësisë dhe që peshqit e mëdhenj të mos kursehen. Pa përparime në këtë drejtim, negociatat mund t’i ndërpresim”.

Hahn ripërsërit se perspektiva evropiane mund të ruajë stabilitetin në rajonin me një histori të trazuar.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu