Editorial - Opinione

Ndikimi rus po rritet frikshëm në Ballkan, Balltik dhe Evropën Qendrore

               Publikuar në : 22:39 - 10/10/18 lm

Nga Dusan Stojanovic “Daily Journal”/ Beograd, Serbi – Një javë përpara një procesi zgjedhor të rëndësishëm, kreu i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, udhëtoi për në Rusi për të parë garën e Formula 1 – jo pse ai është një fans i madh, por për të zhvilluar një takim tjetër me presidentin rus Vladimir Putin.

Filmimet nga gara në Soçi, treguan Putinin që i uronte Dodik një “sukses të madh” në zgjedhjet boshnjake, dhe serbin që e paraqiste Putinin si mbështetësin kryesor të Republikës Srpska, rajonin autonom të kontrolluar nga serbët në Bosnje.

Videoja, ishte një shfaqje e hapur e ndikimit të Rusisë, në një nga rajonet më të ndjeshme të Europës – Ballkanin e brishtë – ku Perëndimi ka synuar ndër vite të nxisë pajtimin dhe reformat, pas një lufte brutale etnike në vitet 1990.

Fotoja e rastit me Putinin, e ndihmoi Dodik të fitojë zgjedhjes se së dielës, duke thelluar ndarjet etnike që e kanë mbajtur Bosnjën të përçarë, që prej luftës së saj shkatërruese të viteve 1992-1995. Dodik mbështet haptazi shkëputjen e serbëve të ndahen nga pjesa tjetër e Bosnjes, dhe ka qenë subjekt i sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja kundër tij.

Por është dëshmuar një aleat i rëndësishëm, në përpjekjet e Moskës për të minuar politikat perëndimore të integrimit ballkanik. Ndërsa ndikimi rus është më i dukshmi në Ballkan, një rritje e populizmit në Evropën Qendrore, ka çuar gjithashtu ujë në mullirin e Moskës, duke siguruar simpatinë e partive politike dhe politikanëve në të gjithë kontinentin, duke përfshirë edhe vendet e Bashkimit Evropian si Hungaria, Austria dhe Republika Çeke.

Forcat pro-ruse, janë paraqitur mirë edhe në një cep tjetër të Evropës. Në Letoni, një parti opozitare e favorizuar nga pakica e madhe etnike ruse e vendit, mori më shumë vota të shtunën në zgjedhjet parlamentare të vendit balltik, edhe pse ajo pritet të hasë jo pak vështirësi në përpjekjen për të formuar një qeveri koalicioni.

Pakica ruse në Letoni, është një forcë e madhe politike vendase, që përbën rreth 25 për qind të rreth 2 milionë banorëve të këtij vendi, një trashëgimi e rreth 50 viteve të pushtimit sovjetik që përfundoi në 1991. Fitorja e Dodik në Bosnjë, përforcoi më tej pozitat e Moskës në Ballkanin Perëndimor, pasi ajo mund të bllokojë tashmë çdo vendim strategjik – mjaft që Putini ta dëshirojë atë.

Rusia i kundërvihet me forcë çdo shteti të Ballkanit që i bashkohet NATO-s.

Zyrtarët perëndimorë, kanë shprehur frikën se Rusia ka përdorur lidhjet e saj historike sllave dhe ortodokse në rajon, për të minuar politikat perëndimore të integrimit.

Analisti politik nga Sarajeva, Adan Huskiç, thotë se ndikimi i Moskës po rritet gjithashtu edhe në pjesët e Evropës, që nuk i kanë këto lidhje identitare. Ajo që këto vende kanë të përbashkëta janë “nivelet e larta të nepotizmit, korrupsionit”, ndaj lidhja me e ngushtë me demokracitë perëndimore, është për “nga natyra, shumë e vështirë për to”, tha ai.

Synimi strategjik i Rusisë, nuk është të pohojë autoritetin e vet mbi Ballkanin, por të “shfrytëzojë dhe forcojë tensionet ekzistuese”- thuhet në një raport të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një think-tank i njohur. “Në sytë e Rusisë, qasja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, nuk është as serioze as sistematike, dhe kësisoj i ofron mundësi Moskës të krijojë mekanizmat e saj të ndikimit”- shton raporti.

Aleatët rusë në Ballkan, kanë mbjellë aktivisht mosbesim në demokracitë perëndimore, duke i paraqitur Uashingtonin dhe Brukselin si armiq, të cilët duan të zhdukin identitetin e kombeve dhe krenarinë kombëtare, përmes nxitjes së integrimin në BE. Dodik, është një shembull i përkryer në këtë aspekt.

Për të, Perëndimi dhe NATO janë armiq, ndërsa Rusia është një mik i respektuar për “vëllezërit” sllavë. E zhytur në problemet e veta – kriza e borxhit në eurozonë, emigracioni apo largimi i afërt i Britanisë si pasojë e Brexit – BE-ja e ka lënë prej vitesh pas dore Ballkanin. Të alarmuar, disa zyrtarë të BE-së, druhen tani se Ballkani mund të zhytet në një konflikt të përtërirë, nëse nuk pranohet shpejt nga blloku 28-anëtarësh.

“Nëse një rajoni të tillë kompleks europian, i krijohet përshtypja se ne nuk jemi seriozë me perspektivën evropiane, do të përjetojmë, më shpejt se sa vonë, atë që pamë në Ballkan gjatë viteve 1990”- tha kohët e fundit Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker.

Frikërat nuk janë të pabaza.

Tensionet midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, Kosovës, që shpalli pavarësinë në vitin 2008, janë në rritje, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme midis dy ish-armiqve të luftës. Beogradi vuri në gatishmëri luftarake trupat e saj ushtarake 2 javë më parë, për shkak të pranisë së policisë speciale të Kosovës në veriun e saj të populluar në shumicë nga serbët.

Në Maqedoni, shpresa e SHBA-së dhe Bashkimi Europian për një miratim të shpejtë të një marrëveshjeje midis Maqedonisë dhe Greqisë, për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, në mënyrë që ajo t’i bashkohet NATO-s, pësoi një goditje kur referendumi i 30 shtatorit mbi emrin, pati një pjesëmarrje të ulët.

Rezultati i tij, ka rritur frikën e destabilitetit në vend, që ka qenë në prag të një lufte civile në vitin 2001. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis, e pa ndikimin rus pas disa protestave në Maqedoni dhe Greqi kundër kësaj marrëveshje. “Ne nuk duam të shohim që atë që Rusia po bën në Maqedoni, të përpiqet ta bëjë në shumë vende të tjera”- tha ai muajin e kaluar.

Rusia ka mohuar çdo lloj ndërhyrje në ndonjë vend ballkanik ose balltik. Por strategjia ruse e fuqisë së butë, ka gjetur një terren pjellor midis serbëve, për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që ndalën një masakër të madhe të serbëve ndaj Kosovës, dhe që i detyroi serbët të tërhiqeshin.

Në këmbim të mbështetjes së Moskës ndaj pretendimeve serbe mbi Kosovën, Beogradi ka qenë një aleat besnik, edhe pse formalisht ndjek synimin e integrimit në BE, dhe po i përdor për rikëmëkëmbjen e vet ekonomike milionat eurot e fondeve perëndimore.

Dy operativë të inteligjencës ushtarake ruse, vepruan nga Serbia në vitin 2016, kur u përpoqën të organizonin një grusht shteti në Malin e Zi fqinj, për të ndaluar ish-aleatin rus të hyjë në NATO.

“Ne e pamë se referendumi në Maqedoni nuk pati sukses”- tha analisti serb Boshko Jakshiç. “Ne mund ta shohim këtë të përsëritet në Bosnje, ku Republika Srpska është shndërruar në bastionin e interesave ruse. E pamë më herët në Mal të Zi, dhe po e shohim atë në Serbi. Kjo po i ndihmon rusët të investojnë minimumin, dhe të marrin thuajse maksimumin e ndikimit të tyre politik”.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu