Ekonomi

“Ndarja e tortës”, tri ministri do të marrin 1.3 miliardë euro fonde

               Publikuar në : 09:41 - 02/11/18 user

Do të jenë tri ministri ato, që do të marrin fondet më të mëdha nga buxheti i shtetit 2019. Ato janë: ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe Infrastruktura dhe Energjia. Të tre këto dikastere kanë një buxhet të përbashkër prej 116 miliardë lekësh për vitin e arhdhshëm, të barabartë me më shumë se 1.3 miliardë euro. Kjo situatë është e njejtë me vitin e kaluar, pas krijimit të super-ministrive, me bashkimin e disa dikastereve në duar të tre ministrave me fuqi shumë të mëdha.

Ministria e Drejtësisë

Me 18.7 për qind më shumë fonde në dispozicion, krahasuar me këtë vit, është ministria e Drejtësisë ajo që shënon rritjen më të lartë ndër dikasteret, pasuar nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit me +16.3%. Po kështu, edhe Kultura ka 7.8% më shumë mundësi financiare se sivjet. Ndërkohë, shumica e ministrive të tjera ka ulje.

Ministria e Mbrojtjes

I pashpjegueshëm është një pakësim fondesh në masën 36.4 për qind në sektorin e Emergjencave Civile, që i mbulon ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit, ndërkohë, në total do të ketë 6.1 për qind më shumë fonde. Me gati të njejtin buxhet do të përballojë vitin Policia e Shtetit, kurse SHISH-i do të ketë 2% më shumë fonde. Prokuroria dhe Gjykatat hyjnë gjithashtu në ato insitucione që kanë rritje.

Bujqësia

Për rrugët buxheti 2019 do të jetë 6% më i ulët, me sa duket për shkak të politikës së pakësimit të fondeve shtetërore në favor të investimeve nga koncesionarët në këtë sektor. Por me uljë janë edhe Bujqësia, Financat, ndërkohë që Shëndetësia ka vetëm 1.2% rritje dhe Arsimi 2.1%.

Ndërkohë që për kthimin e kompensimin e pronave ka një rritje në masën 43.5%, për kategorinë e ish-të përndjekurve, në të kundërt, janë planifikuar vitin e ardhshëm 48.1 për qind më pak fonde.

Sa u përket investimeve, Drejtësia dhe Turizmi do të kenë rritjet më të mëdha më 2019, pasuar nga Mbrojtja dhe Financat, ndërkohë që Presidencës dhe Kuvendit i ulen përkatësisht 62.5 për qind dhe 61.3 për qind fondet për shpenzime kapitale. Kurse Kryeministria i shton të vetat me 3.1%. Për Burgjet janë parashikuar afro 5 për qind më shumë investime, por Policia duhet të kënaqet me reduktim fondesh për investime në masën 11.2 për qind./Shqiptarja.com/

Kthehu