Editorial - Opinione

Mos vallë Rama po paralajmëron kthimin e Tahirit në politikë?

               Publikuar në : 13:05 - 08/10/18 marsela

Nga: Marsela Sinani/Në kohën kur PD ‘çirret’ se Saimir Tahiri do të shpëtohet nga Rama për akuzat, ky i fundit nuk i ka bërë bisht. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryeministri ka folur kryesisht mbi akuzat dhe sulmet e pavend ndaj qeverisë, nga opozita e drejtuar nga Basha.

Ai tha tekstualisht: “e ka përjashtuar nga jeta politike, derisa drejtësia të japë vendimin përfundimtar'”. Deklarata e tij lë shteg për shumë pikëpyetje. Ajo mund të lexohet edhe në versionin: “E kam larguar vetëm përkohësisht!”. Ndërkohë, duke marrë parasysh akuzat e opozitës, sipas së cilave Rama po e ndihmon Tahirin ti shpëtojë drejtësisë, dhe disa veprime të Prokurorisë, mund të thuhet se Edi Rama ka të vërteta në këtë deklarim.

Po çfarë na shtyn të ngremë këto pikëpyetje?

Opozita prej një kohe të gjatë akuzon Tahirin, dhe se pas kësaj qëndron Arta Marku me lëvizjet e saj në Prokurori. Nëse kthehemi pas në kohë, Prokurorja e Përgjithshme me mandat të përkohshëm, bëri një nga lëvizjet më të forta të kohëve të fundit në organin e akuzës.

Ajo vendosi të nisë një hetim disiplinor për 10 prokurorët që refuzuan të bëhen pjesë e shortit, për marrjen e dosjes së Emiliano Shullazit. 3 prej këtyre prokurorëve janë transferuar në rrethe.

Mes tyre është edhe ish-kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj. Për të, kjo lëvizje sipas kryetarit të PD ka një tjetër qëllim, pasi lidhet me dosjen ndaj Saimir Tahirit, të cilën e ka në dorë pikërisht Hajdarmataj.

Ato lëvizje ishin mjaft të bujshme, pasi opozita paditi kryeprokuroren për largim të paligjshëm të prokurorëve që hetojnë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.  Kjo me qëllim mbylljen e hetimit ndaj tij. Ne emër të opozitës, kallëzimin e depozituan në Prokurorinë e Tiranës, kryetarët e grupeve parlamentare PD- LSI, Spaho dhe Vasili.

Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”. Opozita i cilëson lëvizjet e paligjshme të prokurorëve të urdhëruara politikisht.

Opozita e padititi kryeprokuroren për ‘shpërdorim detyre’, pasi ajo vendosi të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij”, shprehet opozita në kallëzimin penal.

Opozita nuk i ndahet qëndrimin të saj, se policia dhe drejtësia frenohen nga politika në operacionet kundër kriminelëve. Jo vetëm opozita, por edhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones, e cila zëvendëson përkohësisht ambasadorin pas largimit të Donald Lu-së, qëndron në të njëjtën linjë. Më herët ajo ka apeluar për të hetuar lidhjet e politikës me krimin. Mes të tjerash përmendi edhe emrin e Saimir Tahirit.

“Duhet të vijojnë hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe Shullazit. Brezi i korruptuar duhet të largohet së shpejti, dhe ju duhet të ndërtoni një sistem të drejtë. SHBA do të vazhdojë të mbështesë luftën kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, që përdorin opozitat e tyre për t’u pasuruar”, ka deklaruar ajo.

Çfarë po kurdis Rama për Tahirin? A mos jep sinjalet e para se Tahiri do t’ia hedhë paq? Mos vallë dalim në konkluzionet e opozitës se Rama e do Prokurorinë për të shpëtuar Tahirin, veglën dhe bashkëpunëtorin e tij?

Kjo mbetet për tu parë! Koha do e tregojë…. Për më tepër, në sfond janë edhe zgjedhjet lokale dhe Saimir Tahiri në zgjedhjet e fundit të përgjithshme ka vërtetuar se është lojtar i fortë. Dmth, një lojtar që nuk duhet lënë rezervë.

Kthehu