Futboll

Merr fund pritja, Iniesta firmos kontratën me ekipin e ri

               Publikuar në : 16:49 - 24/05/18 Enno

Andres Iniesta ditën e sotme i ka dhënë fund dilemës së shumë tifozëve se ku do ta shihnim pasi u largua nga Barcelona. Ai ka nënshkruar kontratën me ekipi japonez, Vissel Kobe këtë mëngjes, gjatë ceremonisë së tij të prezantimit, të mbajtur në Tokio, para një pritshmërie të madhe.“Është shumë e rëndësishme për mua kjo sfidë e re në karrierë. Shpresoj shumë në këtë projekt. Japonia është një vend i mrekullueshëm. Kam ardhur për të luajtur dhe për të punuar me shokët e mi, – ka thënë Iniesta.

Kam marrë disa oferta nga klube të tjera, por kam vendosur të vij te Vissel Kobe, sepse projekti që m’u paraqit ishte shumë interesant. Dhe unë tregova besim karshi tij. Përveç kësaj, Japonia është një vend i mrekullueshëm, më pëlqen kultura e saj. Më pëlqen ta shijoj jetën time në këtë vend. Kam shumë respekt për futbollin japonez, dua të kontribuoj dhe t’i ndihmoj shokët e mi të skuadrës”.Ndërkohë, Hiroshi Mikitani, themelues dhe drejtor i gjigantit “Rakuten”, njëherazi pronari i klubit japonez të Iniestës, vlerësoi udhëheqjen e ish-kapitenit të Barcelonës dhe vlerat e tij: “Iniesta ka kapacitet për ndikimin global. Ai do të jetë një frymëzim për klubin, për të gjithë ligën dhe shoqërinë japoneze”. Manjati japonez shtoi se “metodologjia e aplikuar në “La Masia” dhe Iniesta vetë do të jenë pikë referimi për akademinë e klubit japonez, për lojtarët e rinj, të cilët do të bashkëpunojnë në këtë drejtim me Barcelonën”.

Iniesta, 34 vjeç dhe me 32 tituj të fituar në Barcelonë, përveç të qenit kampion bote dhe dy herë kampion Europe me “La Roja”, tani e tutje do të jetë pikë referimi për Vissel Kobe dhe një nga atraksionet më të mëdha të “J-League”. Ekipi japonez, gjithashtu, ka në përbërje ish-ndërkombëtarin gjerman, Lukas Podolski, si një lojtar i shquar, dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë të kampionatit japonez, i cili zgjat deri në dhjetor. Me largimin e tij në Japoni, futbollisti “manchego” ka ndjekur gjurmët e ish-ndërkombëtarëve spanjollë Txiki Begiristain, Andoni Goikoetxea dhe Julio Salinas.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT