Editorial - Opinione

Me helmimet kimike, Rusia po shndërrohet në një shtet terrorist

               Publikuar në : 13:05 - 14/09/18 Bardhi

Nga Leonid Bershidsky, ”Bloomberg View”/Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi se dy burrat që Mbretëria e Bashkuar, akuzon se janë agjentë të inteligjencës ushtarake ruse, të dërguar për të helmuar ish-spiunin Sergej Skripal në mars të këtij viti, janë “civilë” që nuk kanë bërë “asgjë të veçantë ose penale”, mbi të ranë hijet e dyshimit për një tjetër rast të mundshëm helmimi.

Pyotr Verzilov, një aktivist anti-Putin dhe producent i grupit politik punk “Pussy Riot”, u shtrua në spital në Moskë me simptoma të dyshimta.

Edhe pse helmimet, si kimike ashtu edhe biologjike, janë përdorur për shumë kohë nga shërbimet e inteligjencës në të gjithë botën, për të sulmuar të gjitha llojet e armiqve – udhëheqësit e shteteve armiqësore, terroristët, dezertorët, disidentët – ajo që po ndodh tani me një mori rastesh të provuara dhe të dyshuara ruse, është se regjimi i Putinit e ka çuar këtë praktikë përtej çdo kufiri të arsyeshëm.

Kjo qasje po i shkakton më shumë dëme reputacionit ndërkombëtar të Rusisë, sesa kanë shkaktuar ndonjëherë kritikat individuale apo të armiqve të regjimit. Verzilov, 30-vjeç, është botuesi i portalit anti-regjim “Mediazona” në internet, dhe një artist veprimtar i guximshëm.

Në muajin korrik, ai dhe një grup grash, të gjithë të veshur me uniforma policore, u futën në fushën e blertë gjatë finaleve të Kupës së Botës në Moskë, para se të nxirreshin andej me forcë.

Është e pamundur të thuhet me siguri nëse Verzilov është helmuar. Simptomat, siç përshkruhet nga e dashura e tij Veronika Nikulshina, përfshijnë humbjen e shikimit, aftësinë për të ecur drejt dhe të folurën koherente; ajo dyshon për më të keqen. Në momentin që po shkruaj këtë artikull, Verzilov ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Helmimi i qëllimshëm nuk është provuar deri në fund në një numër rastesh të tjera të shquara. Aktivist anti-Putin, Vladimir Kara-Murza, i cili mori pjesë kohët e fundit në funeralin e senatorit amerikan Xhon Mekein, është prekur nga të njëjtat simptoma – të vjella dhe rrahje të çrregullta të zemrës, dhe më pas rënien në koma – dy herë, në vitin 2015 dhe më 2017-ën.

Mjekët e diagnostikuan helmimin, por nuk mundën të identifikojnë shkakun e tij. Një përbërës i panjohur, që mund të ishte i ngjashëm me gelsemiumin, një helm i rrallë bimor, u gjet në trupin e avokatit rus, Aleksandër Perepiliçni, i cili vdiq nga një atak në zemër, gjatë kohës që po vraponte pranë banesës së tij në Britaninë e Madhe në vitin 2012.

Edhe për armikun e vjetër të Putinit, Boris Berezovski, i cili vdiq nga një atak kardiak në Britaninë e Madhe në vitin 2008, është dyshuar prej kohësh për një helmim. Dhe kohët e fundit, është kërkuar që trupi i tij të zhvarroset.

Në këtë pikë, prova të qarta – dhe një përfundim nga një gjykatës britanik që e mbështet këtë- ekzistojnë vetëm për rastin e Aleksandër Litvinenkos, ish-oficerit të kundërzbulimit rus, i helmuar me polonium në Londër më 2006.

Andrei Lugovoj, të cilin gjykatësi Robert Ouen e shpalli fajtor për helmimin e Litvinenkos, tani është deputet i parlamentit rus. Në një artikull të vitit 2009 mbi përdorimin e armëve kimike dhe biologjike në vrasje, Shlomo Shpiro, një ekspert i inteligjencës në Universitetin Bar-Ilan në Izrael, vuri në dukje avantazhet e perceptuara të kësaj teknike.

“Armët kimike dhe biologjike u përdorën për vrasje, për shkak të padukshmërisë së tyre, si dhe për lehtësinë e eliminimit të objektivit, ashtu edhe në vështirësinë e përcaktimit të shkakut të vdekjes”- shkroi Shpiro.

Vrasja e Litvinenkos, konformoi se qeveria aktuale ruse, ka vazhduar serinë e helmimeve, që me sa duket nisi në vitin 1957 me vrasjen në Mynih të emigrantit ukrainas Lev Rebet, të cilin agjenti i KGB Bogdan Stashinski, e vrau me një pajisje të veçantë  që e spërkati me acid prusik (Stashinski më vonë dezertoi në Perëndim, dhe tregoi ngjarjen).

Disidenti bullgar, Georgi Markov, u helmua me majën e mprehur të një ombrelle në vitin 1978 – një operacion për të cilin gjenerali i KGB-së Oleg Kalugin, shkroi më vonë në kujtimet e tij. Zinxhiri i vrasjeve, vazhdoi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 2003, gazetari investigativ Juri Shekoçikin vdiq nga helmimi, me sa duket nga taliumi, një metal i rëndë shumë toksik, dhe vitin që pasoi kolegia e tij Ana Politkovskaja, i mbijetoi një helmimi në filxhanin e çajit. Ajo u qëllua për vdekje në vitin 2006.

Një argument në favor të helmimeve është mungesa e gjurmëve, por rasti i Litvinenkos e dogji këtë opsion. Po ashtu, helmimet mbartin një rrezik të lartë dështimi – viktimat shpesh mbijetojnë ose vrasësit reflektojnë, si në rastin e Nikçai Kokhlov, i cili u dërgua në Frankfurt për të vrarë një disident në vitin 1954, por iu dorëzua autoriteteve gjermano-perëndimore.

Skandalet dhe dështimet janë, sipas Shpiro, e meta më e madhe e përdorimit të helmit në vrasje. Sipas Shpiro, në Perëndim dhe Izrael, helmimet duket se janë braktisur shumë kohë më parë.

Por Rusia e Putinit, duket se nuk ka hequr dorë nga mënyra e rrezikshme, dhe politikisht e rrëmujshme, e përpjekjes për të hequr qafe armiqtë e saj.

Helmimet janë të rrezikshme, përtej rrezikut që ata nënkuptojnë për kundërshtarët e Putinit. Prej tyre do të varet për shumë kohë reputacioni ndërkombëtar i Rusisë, edhe pasi Putini të mos jetë më në pushtet, përveçse nëse pasuesit e tij kanë guximin të rrëfejnë dhe japin informacione rreth këtyre vrasjeve.

Helmimet, siç paralajmëroi Shpiro në dokumentin e tij, krijojnë një nxitje për terroristët që të kopjojnë metodat e përdorura nga shërbimet e inteligjencës, veçanërisht pasi qeveria ruse e ka vendosur veten si e dyshuara kryesore në rastet e helmimit.

Edhe nëse Putini, nuk do ta pranojë asnjëherë përfshirjen e Kremlinit, seria e keqe e këtyre ngjarjeve duhet të përfundojë:ajo po ushqen perceptimin ndërkombëtar në rritje të Rusisë, si një shtet terrorist. Më së paku, shërbimet e inteligjencës së Putinit duhet të mbrojnë kundërshtarët e regjimit nga çdo dëm tjetër, që mund të sugjerojë përdorimin e armëve kimike ose biologjike.

Përshtati Tirana Today

Kthehu