Editorial - Opinione

Lufta pa krye kundër terrorizmit

               Publikuar në : 13:44 - 12/09/18 Bardhi

Nga Eresh Omar Jamal, “The Daily Star”/Në orën 11 të paradites së 11 shtatorit 2001, administrata e presidentit Xhorxh Bush, kishte deklaruar tashmë se Al-Kaeda ishte përgjegjëse për sulmet ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit. Në orën 21:30 të mbrëmjes, u formua Kabineti i Luftës, i përbërë nga drejtuesit më të lartë të shërbimeve inteligjente, dhe këshilltarët ushtarakë.

Dhe në orën 23, në fund të takimit të tij historik në Shtëpinë e Bardhë, u shpall zyrtarisht “Lufta kundër Terrorit”. Për ata që nuk e kanë lexuar Xhorxh Oruellin, komenti i tij se “Lufta nuk ka për qëllim të fitohet, por të jetë e vazhdueshme” mund të tingëllojë më real se sa një trill, 17 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe nisjen e luftës së botës perëndimore ndaj terrorizmit.

E megjithatë, shteti i mbikëqyrjes oruelliane, i ndërtuar dhe justifikuar nga kërcënimi i terrorizmit, që i ka hequr të gjithëve të drejtën e tyre të privatësisë, nuk është e vetmja kosto që duhet të bartim për shkak të saj.

Sipas Projektit të Kostove të Luftës në Institutin Uotson të Universitetit Braun, lufta e Amerikës kundër terrorizmit, nga 12 shtatori 2001 dhe deri në vitin fiskal 2018, i ka kushtuar tatimpaguesve amerikanë plot 5.6 trilionë dollarë, ose 23.386 dollarë për çdo amerikan.

Në aspektin e borxhit, Lufta kundër Terrorit, shtoi me 2.1 trilion dollarë, ose më shumë se 10 për qind borxhin amerikan. Dhe sipas raportit të “Departamentit Amerikan të Mbrojtjes” në vitin 2017, SHBA-ja kishte shpenzuar 250 milionë dollarë në ditë për 16 vjet rresht për “mbrojtje”, që nga sulmet e 11 Shtatorit.

Gjithsesi kjo është vetëm kostoja amerikane në dollarë e kësaj lufte. Ajo nuk merr në konsideratë shkatërrimin e plotë të Irakut, Afganistanit, Libisë, Sirisë dhe kështu me radhë. Nuk merr parasysh miliona shtëpi të shkatërruara, njerëz të zhvendosur, dhe jetë të humbura dhe të shkatërruara për shkak të luftës.

Dhe gjithashtu nuk përfshin koston e destabilizimit të vazhdueshëm mbarëbotëror, të shkaktuar nga pasojat e vetë luftës kundër terrorit. Për këtë arsye, kostoja e vërtetë e kësaj lufte, është në fakt e pallogaritshme. Tek e fundit, si mund t’i caktoni vlera në dollarë, kostove më të mëdha njerëzore dhe qindra mijëra jetëve të humbura?

Si mund të vlerësohet kostoja e numrit të fëmijëve, e ardhmja e të cilëve është shkatërruar për shkak të konflikteve të tilla? Sipas gazetarit Tom Engëllhard, lufta e Amerikës kundër terrorizmit u përhap në 76 vende anembanë globit. Pesëmbëdhjetë vjet pas pushtimit të Irakut, dhe 8 viteve të pushtimit amerikan, rreth 4.500 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën vetëm në Irak.

Ndërkohë, shumica e vlerësimeve kryesore në Perëndim, e llogarisin numrin e civilëve irakianë të vrarë midis 100.000-165.000, madje ata janë të detyruar të pranojnë, se numri mund të jetë gati 1 milionë. Ndërkohë, për pjesën më të madhe, e ashtuquajtura Luftë kundër Terrorit, është shumë larg fundit të saj, ndërsa vazhdon të terrorizojë miliona njerëz në mbarë botën edhe sot.

Për shembull, 10 vjet pas pushtimit fillestar të Irakut, SHBA-ja “u detyrua” të dërgonte më shumë trupa në Irak dhe Siri, për t’u përballur me Shtetin Islamik. Ndërsa në kohën e pushtimit të Irakut, ISIS as nuk kishte ekzistuar, edhe pse tani me sa duket përbën kërcënimin më të madh të terrorizmit në botë në tërësinë e tij, dhe lufta kundër tij po vazhdon.

Ndërkohë që edhe ekspertë ushtarakë amerikanë, janë detyruar ta pranojnë:ISIS-i as nuk do të ishte shfaqur, nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi i Irakut. Kështu, të gjitha këto “kosto” janë thjesht një bumerang për luftën e Amerikës kundër terrorit.

Megjithatë, ajo që shpesh harrohet është se ngritja e Al-Kaedës dhe sulmet e 11 shtatorit, ishin ndëshkim për financimin e muxhahidinëve nga SHBA-ja (që më në fund formuan Al-Kaedan) në Afganistan, për të dëbuar trupat e Bashkimit Sovjetik.

Ashtu si politikë-bërësit e SHBA-së nuk kanë mësuar nga ngjarjet e 11 shtatorit, për të mos ndërhyrë në vende të tjera, dhe shmangur pasoja të tilla të tmerrshme më vonë.

Dhe ndërsa njerëzit e zakonshëm vuajnë nga këto pasoja, prodhuesit e armëve dhe kontraktorët e luftës vazhdojnë të arkëtojnë fitime të pafundme, teksa varfëria, pabarazia dhe uria, janë ulur këmbëkryq në të gjithë planetin tonë të shkatërruar nga lufta. Dhe pikërisht këtu gjërat bëhen vërtet oruelliane.

Ndërsa Xhorxh Oruell shkroi në vitin 1949, në librin e tij “1984”: “Lufta nuk ka për qëllim të fitohet, por të jetë e vazhdueshme. Shoqëria hierarkike, është e mundur vetëm në bazë të varfërisë dhe injorancës…Në parim përpjekjet e luftës, janë planifikuar gjithmonë për ta mbajtur shoqërinë në prag të urisë. Lufta zhvillohet nga grupi qeverisës kundër subjekteve të veta, dhe objekt i saj nuk është fitorja mbi as Eurazinë apo Azinë Lindore, por për ta mbajtur të paprekur strukturën e shoqërisë”.

Duke e marrë këtë në konsideruar, ndoshta mënyra e vetme për të arritur atë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump thotë se dëshiron “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, është t’i  japim fund zbatimit të parimeve oruelliane. Dhe me këtë në mendje, për t’i dhënë fund gjendjes së përhershme të luftës, në të cilën bota është zhytur për 17 vite të gjata, për shkak të luftës kundër terrorit.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu