Kryesore

Letra e Mikaelës dikur preku Ramën, sot shteti e lë pa bukë

               Publikuar në : 15:43 - 19/02/18 S.N

Shumë prej nesh e mbajmë mend rastin e Mikaelës, vogëlushës 7-vjeçare  e cila guxoi dhe i shkroi dhe një letër kryeministrit Rama, ku i kërkonte ndihmë për përballimin e jetesës së vështirë.

Rasti i publikuar nga Tirana Today në korrik të vitit të kaluar, gjeti zgjidhje menjëherë, teksa kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryeministri Rama reaguan, duke ofruar ndihmën e tyre.

Kështu, Rama iu përgjigj letrës së Mikaelës, me lajmin e mirë se familja e saj përfitoi bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës, dhe sapo e ëma e Mikaelës të bëhej mirë, do t’i sigurohej edhe një punë.


Por, tashmë, Burbuqja, nënë e tre fëmijëve po kalon sërish një situatë mjaft të vështirë, teksa prej 3 ditësh ajo dhe fëmijët e saj flenë të pangopur. 8 muaj pas publikimit të historisë së saj, në sytë e Burbuqe Memushit ka ende lotë. Kjo sepse familjes së saj i kanë hequr ndihmën ekonomike.

Edhe pse është një vlerë mjaft e vogël, prej vetëm 4500 lekësh, duket se kryefamiljarja e divorcuar ka mbetur edhe pa to:

“Kur shkova të merrja ndihmën ekonomike, më thanë që të është hequr. Nuk më dhanë arsye konkrete, thjesht thanë që ua kanë hequr gjysmës së Shqipërisë”, thotë ajo për Tirana Today.

E pyetur se çfarë bëri më pas, Burbuqja tregon se u paraqit te zyrat e Bashkisë, ku e rekomanduan që të riaplikojë për një fond 6% që ka dhënë Bashkia.

“Shkova te Bashkia, te Migena, i thashë që më kanë hequr ndihmën ekonomike, kisha 3 ditë pa ushqim për fëmijët. Migena më dha një letër jozyrtare, më dha një letër që t’ia çoja atyre gocave te zyrat e njësisë time bashkiake që të riaplikoja te 6%-i që ka dhënë fondin Bashkia”.

Pa asnjë qindarkë në xhep, dhe me fëmijët të pa ngrënë, kryefamiljarja përballet me një tjetër problem. Ajo rrëfen për Tirana Today se e ka përfituar bonusin e qirasë, por ka hasur në probleme teksa ai del pas datës 20, ndërkohë që pronarit duhet t’ia paguajë qiranë nga data 1-5.

“Unë e kam përfituar bonusin e qirasë, por pagesën e kam nga data 1 deri në datë 5, në bazë të kontratës që kam bërë me pronarin e shtëpisë dhe mua më hidhet në datë 25. Kështu që e kam me shumë problem, e kam diskutuar me pronarin e shtëpisë dhe ai më ka thënë që s’mund të pres. Unë kam shumë probleme. Kam shkuar rregullisht të zyrat e strehimit dhe më kanë thënë që atëherë i hedh financat, nuk me kanë gjetur zgjidhje”, shprehet ajo për Tirana Today, duke dëshmuar se është totalisht e braktisur nga shteti.

Burbuqe Memushit, e divorcuar prej 5 vitesh, ka tre fëmijë 7, 13 dhe 14 vjeç, që tashmë u është hequr edhe ndihma ekonomike.

Burbuqja ka një vit e gjysmë që nuk punon, pasi ka bërë dy operacione, i fundit nga hernia dominale. Kujdesi që duhet të tregojë pas kësaj ndërhyrje është i madh, pasi ka komplikacione dhe probleme me trombozën dhe stomakun. Nga një nënë që punonte ditë e natë në luftë të përditshme për të siguruar mbijetesën e fëmijëve të saj, ajo po ashtu shprehet edhe për gazetën Express se e ka të pamundur të punojë kaq fort, pasi shëndeti i saj nuk ja lejon. Por duke parë në sy fëmijët e saj të vegjël që nënën e shohin si heroinën e tyre, Burbuqja ka tentuar të kërkojë edhe punë gjatë kohës së rehabilitimit shëndetësor, por nuk është pranuar për shkak se fiziku i saj ka qenë i dobët. TIRANA TODAY

Kthehu