Futboll

‘Braktisi’ Kosovën për Shqipërinë, Ismajli: Mos më paragjykoni, ja pse e bëra

               Publikuar në : 19:05 - 08/11/18 Enno

Pak ditë më parë Christian Panucci ka zbardhur listën e lojtarëve që janë grumbulluar, e cila kishte dy risi. Shqipëria do të përballet me Skocisë në Nations League dhe miqësoren ndaj Uellsit që do të zhvillohen këtë muaj.

Ardian Ismajli, ish kapiteni i Kosovës U-21 i cili la dardanët për kuqezinjtë në një intervistë për mediat kroate ka shpjeguar zgjedhjen e tij. “Menjëherë pas telefonatës së Panuccit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U21 deri në përfundim të kualifikueseve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”.

Ismajli i cili ka luajtur pak me Hajdukun e Splitit gjatë kësaj periudhe e di që do ta ketë shumë të vështirë të fitojë një vend në formacion te Shqipëria megjithatë ai beson te aftësitë e tij dhe është i gatshëm për të luajtur që në sfidën e radhës ndaj Skocisë.

“Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U21… Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi.

Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku. Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”.

Kthehu