Futboll

Kosova merr kreun e grupit, Malta shumë e dobët për ‘Dardanët’ (Video)

               Publikuar në : 22:50 - 11/10/18 Enno

Kosova vazhdon të shkëlqejë në Ligën e Kombeve, pasi ka mposhtur Maltën në “Fadil Vokrri” me rezultatin e thellë 3-1. ‘Dardanët’ kanë dominuar ndeshjen nga minuta e parë dhe me fitoren ka arritur të marrë kreun e grupit 3, të Kategorisë D në Ligën e Kombeve.

Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes kontrolloi mjaft mirë sfidën nga minuta e parë, duke krijuar disa raste për të shënuar, deri në minutën e 30’, ku falë një asisti fantastik të Valon Berishës, Benjamin Kololli dërgoi topin në rrjetë.

Agius riktheu baraspeshën për Maltën në fillim të pjesës së dytë, duke befasuar jo pak të pranishmit në shkallët e stadiumit, por njëkohësisht duke “ndezur” vrullin e “Dardanëve”, për të gjetur sërish golin e avantazhit.

Pas një rrëmuje në zonë, Vedat Muriqit i del topi me fat dhe pas një rrotullimi prej sulmuesi race, arriti të godasë mjaft mirë, duke mposhtur për herë të dytë portierin maltez dhe duke rikthyer qetësinë në kampin kosovar, që e pa veten sërish në avantazh.

Vetëm dy minuta më vonë, kapiteni veteran i Maltës, Mifsud u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë të tijtë me 10 lojtarë, ndërsa në minutën e 81-të ishte sërish Benjamin Kololli, që shënoi golin e dytë personal, dhe të tretin e të qetësisë për Kosovën.

Pas kësaj fitoreje, Kosova mbetet në vendin e parë të grupit, tashmë me 7 pikë, dy më tepër se Azerbajxhani ndjekës, që sot fitoi gjithashtu me rezultatin e thellë 3-0 në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu