Ekonomi

Keni depozita në euro? Keq puna për ju

               Publikuar në : 11:44 - 13/02/18 user

Më shumë se 10 vite më parë kursimet në valutë të shqipëtarëve përbënin vetëm 36%  të totalit të depozitave në sistemin bankar në vend.

Kursimet në valutë të shqiptarëve arritën një nivel rekord në vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë.

Rritja e shpejtë e tyre vitet e fundit, në një kohë që kursimet në lekë erdhën në rënie për shkak të uljes së interesave të depozitave (sot ato janë më pak se 1% për kursimet 12 mujore) ishin arsyet kryesore që çuan në këtë tendencë.

Emigrantët kanë qenë historikisht burimi kryesor i prurjes së valutës në Shqipëri.

Gjithnjë në gusht dhe në dhjetor-janar ka një rritje të depozitave në euro, kohë që përkon me kthimin e emigrantëve në vendin mëmë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, pjesën më të madhe të kursimeve në valutë e zotërojnë individët, me 82% të totalit, ose 430 miliardë lekë, (rreth 3.2 miliardë euro).

Plani i BSH-së kundër euros

Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka miratuar së fundmi tre masa, zbatimi i të cilave do të frenojë përdorimin e euros në ekonominë vendase.

Masat kanë të bëjnë me kufizimin e kredisë në valutë dhe rritjen e kërkesës për kapital në këtë valutë, duke e bërë euron më të shtrenjtë për t’u mbajtur nga bankat.

– ndryshimin e normës së rezervës së detyrueshme. Më konkretisht, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%), dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%).

Për bankat ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%;

– rritjen e kërkesës minimale rregullative për vlerën e aktiveve likuide në valutë. Më konkretisht, për aktivet likuide në valutë do të kërkohet që të jenë jo më pak se 20% e detyrimeve afatshkurtra ne valutë (ishte 15%), ndërsa për aktivet likuide në lekë, niveli i raportit do të ruhet në 15%;

-rritjen e ndërgjegjësimit të huamarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Më konkretisht, bankave do t’iu kërkohet që: t’i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në lekë; ta pajisin atë me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rastin e nënçmimit të lekut (me vlera të përcaktuara); të ofrojnë opsionin për përdorimin e mekanizmave që zbusin rrezikun e kursit të këmbimit për kredimarrësin, në rastin kur plotësohen kushtet që janë dakordësuar nga banka dhe huamarrësi

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu