Editorial - Opinione

Ja pse historia do ta gjykojë ashpër Angela Merkelin

               Publikuar në : 21:20 - 05/11/18 lm

Nga Yascha Mounk “Foreign Affairs”/ Si udhëheqesja e partisë më të madhe politike në vend për 18 vjet, dhe kancelarja e saj për 12 vjet, Angela Merkel ka bërë më shumë në formësimin e Gjermanisë bashkëkohore, sesa çdo udhëheqës i pasluftës, përveç Konrad Adenauerit, Vili Brand dhe Helmut Kolit.

Prandaj, njoftimi i saj i fundit, se do të japë udhëheqjen nga drejtimi i Unionit Kristiandemokrat (CDU) këtë dhjetor, dhe që s’do të kërkojë një mandat tjetër në zgjedhjet federale që pritet të mbahen në vitin 2021, shënoi fillimin e fundit të një epoke.

Përderisa Merkeli ka qenë një forcë thellësisht stabilizuese, dhe ekstremistët politikë mezi presin të shfrytëzojnë largimin e saj, është e natyrshme të pyetet se si do të ndryshojë vendi gjatë viteve të ardhshme. A do të anojë CDU-ja nga e djathta ekstreme, pasi liderja e moderuar të largohet nga skena politike?

A mundet Alternativa për Gjermaninë (AfD), që tashmë është një forcë e madhe në politikën gjermane, të përdorë në favorin e saj boshllëkun e pushtetit që do të lërë pas Merkel? Këto janë të gjitha çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me të ardhmen e mundshme të vendit.

Por për të kuptuar trazirat politike në të cilat e gjen tashmë veten Gjermania, dhe për të pasur një parashikim sa më profesional se si mund të ndryshojë vendin largimi i Merkel, është më së pari e nevojshme të kuptohet trashëgimia që ajo lë pas.

Dhe kjo trashëgimi, është thellësisht paradoksale. Ajo drejtoi vendin me qetësi dhe kompetencë të madhe, duke ndjekur një kurs qendror, që reflektonte gjendjen shpirtërore të publikut në vitet e para të mandatit të saj. Angazhimi i saj nënvlerësues ndaj vlerave të demokracisë liberale i dha një mbështetje të gjerë, dhe madje tërhoqi admirimin e palodhur të shumë njerëzve në të majtë.

Pasi u përball me ngritjen e populizmit të krahut të djathtë në formën e AfD-së në shtëpi dhe Donald Trumpit jashtë vendit, ajo u konsiderua si një mishërim i vlerave liberale.

Disa madje shkuan aq larg, sa ta shpallnin atë udhëheqësen e re të botës së lirë. E megjithatë kam frikë se historia do ta gjykojë Merkelin më ashpër, se sa shumë njerëz e imagjinojnë sot. Pavarësisht sesa mbresëlënëse ka qenë udhëheqja e saj, ajo nuk arriti t’i japë një përgjigje të kënaqshme 3 krizave më të mëdha, me të cilat u përball Evropa gjatë dekadës së kaluar.

Ngurrimi i saj për të reformuar Bashkimin Europian në përgjigje të krizës së euros, i zgjati dhimbjet ekonomike tek vendet e Evropës Jugore, dhe e la monedhën e përbashkët të prekshme ndaj krizave të ardhshme ekonomike.

Dështimi për t’i shpjeguar bashkëqytetarëve kursin e saj ndaj krizës së refugjatëve, e forcoi reagimin ksenofobik, dhe mundësoi që një parti ekstremiste të bëhet pjesë e sistemit politik gjerman, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Dhe mosgatishmëria e saj për t’u ballafaquar me populistët autoritarë në Poloni dhe Hungari, ka dobësuar demokracinë në Evropën Qendrore. Kriza e euros, që dominonte politikën evropiane në prag të krizës financiare të vitit 2008, nxori në pah një mangësi të thellë strukturore në arkitekturën e monedhës së përbashkët:Në një periudhë afatgjatë, lipset një politikë e përbashkët fiskale dhe ekonomike.

Politikanët evropianë, u përballën me një dilemë të vështirë. Ose duhet të përparonin me shpejtësi drejt një bashkimi më të ngushtë, ose duhet të gjenin një mënyrë për të çmontuar euron, ose të paktën të dëbonin anëtarët e saj më të dobët, pa u shkaktuar vuajtje të mëdha ekonomike.

Merkeli zgjodhi një lojë taktike. Duke mos dëshiruar të ndërmarrë reforma ambicioze strukturore, apo të nxjerrë jashtë euros vendet e zhytura në borxhe në Evropën jugore, pranoi me gjysmë zemre një seri paketash shpëtimi, që ishin mjaft të mëdha për të shmangur katastrofën e afërt.

Në një periudhë afatshkurtër, veprimi i saj u justifikua. Greqia, Spanja, Italia dhe Portugalia nuk dolën nga eurozona. Katastrofa financiare, nuk kishte përfshirë ende gjithë kontinentin. Por kostot afatgjata të strategjisë së saj, kanë qenë të pafundme. Një dekadë masash shtrënguese, e ka ulur artificialisht ecurinë ekonomike në Evropën Jugore, dhe ka detyruar miliona evropianë të rinj të emigrojnë ose të mbeten pa punë.

Ndjenja se Gjermania po merrte vendime ekonomike për Greqinë dhe Italinë, shkaktoi një pakënaqësi të madhe në këto vende. Për më tepër, asnjë nga këto sakrifica nuk ndihmoi në korrigjimin e sëmundjes themelore:e meta strukturore e eurozonës, mbetet po aq e rrezikshme sa ishte edhe 10 vjet më parë.

Paqartësia në udhëheqje, u shfaq edhe në mesin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. “Vendimi” i Merkelit për “hapjen e dyerve” ndaj më shumë se 1 milionë refugjatëve që i iknin luftës në Siri, është përshkruar shpesh si një strategji e guximshme, e krijuar nga vlerat krenare humanitare. Por e vërteta është më e komplikuar.

Kur një numër gjithnjë në rritje refugjatësh, mbërritën në brigjet e kontinentit gjatë vitit 2015, Merkel në fillim nuk pranoi të bënte komente. Por shumë shpejt, dhjetëra mijëra njerëz u dyndën në stacionet hekurudhore anembanë vendit, për të mirëpritur refugjatët që vinin në Gjermani.

Në mungesë të një opsioni të qartë ligjor, mbi mënyrën e menaxhimit të refugjatëve që kishin mbërritur tashmë në territorin evropian jashtë Gjermanisë, Merkel vendosi të krijonte një virtyt nga nevoja e perceptuar:e bindur se opinioni publik, ishte qartazi në favor të refugjatëve, ajo u zotua të mbante dyert e vendit të hapura ndaj tyre.

Por humori i opinionit publik ndryshoi shpejt. Gjithnjë e më shumë gjermanë, nisën të shqetësoheshin se fluksi i madh i refugjatëve, mund të ishte normaliteti i ri. Kur një grup i madh emigrantësh dhe refugjatësh, ngacmuan seksualisht dhjetëra gra në një festë publike të Vitit të Ri në Këln, Willkommenskultur (kultura e pritjes së refugjatëve) i hapi rrugën rrugë Fremdenangst (frikës nga të ardhurit).

Në stilin e saj pragmatik, Merkel e korrigjoi me shpejtësi kursin, duke arritur një sërë marrëveshjesh me Greqinë dhe Turqinë, që efektivisht e bën të pamundur që shumica e emigrantëve të arrijnë në territorin gjerman. Por premtimi i Merkel ndaj bashkatdhetarëve se vera e vitit 2015 nuk do të përsëritej më, nuk mundi të ndalte rritjen e shpejtë të së djathtës ekstreme.

Dhe kjo për shkak se kancelarja nuk paraqiti kurrë vizionin e saj për të ardhmen e politikës së refugjatëve në vend.

Angela Merkel, do të kishte qenë një lidere e shkëlqyer në kohë të zakonshme. Ironia e vazhdueshme, është se ajo u ngjit në pushtet në një moment në historinë e Gjermanisë pas luftës, kur vendi dhe bota kishin nevojë që kancelarja të ndiqte një vizion të guximshëm.

Edhe më shqetësues, është fakti që Merkel ka lënë vitet e fundit në hije, anëtarët më të talentuar dhe vizionarë të partisë së saj.

Trashëgimtarja e saj, Annegret Kramp-Karrenbauer, ndan shumë nga dobësitë e saj, pa pasur ndërkohë shumë nga pikat e saj të forta. Kësisoj rreziku më i madh, me të cilën po përballet tani Gjermania nuk është siç komentuan shumë analistë gjatë javës së kaluar, një ndryshim i natyrshëm. Por fakti që pasardhësja e zgjedhur nga vetë Merkel, do të bëjë të njëjtat gabime, për të cilat historia nuk do të jetë shumë dashamirëse ndaj Merkelit.

Marrë me shkurtime

Përashtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu