Editorial - Opinione

Italia po e zhyt Evropën drejt një krize tjetër ekonomike

               Publikuar në : 18:36 - 06/10/18 lm

Nga Sean O’Grady “The Indipendent”/ Është e çuditshme të thuhet, duke pasur parasysh fiksimin tonë kombëtar me Brexit, por Britania nuk është problemi i vetëm i Bashkimit Evropian – apo madje edhe më i madhi. Këtij përshkrimi i përshtatet Italia, dhe në fakt ka njëfarë kohe.

Arsyeja? Italia përfaqëson një kërcënim vdekjeprurës për stabilitetin financiar të Evropës, dhe të ardhmen e vetë monedhës së përbashkët. Qeveria italiane dëshiron një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si drejtohet BE, veçanërisht të euros dhe politikave mbi emigracionin.

Brexit do të ndodhë, dhe Evropa do të vazhdojë ekzistojë gjithsesi edhe pas kësaj. Brukseli e sheh shpërbërjen e monedhës së përbashkët, si një kërcënim shumë më serioz, dhe me të drejtë.  E megjithatë, “kriza” në Itali nuk përbën ndonjë lajm të ri. Ajo ka vazhduar, me shkallë të ndryshme intensiteti, që nga viti 2010.

E lënë në hije nga problemet më serioze në Greqi, Italia ishte përherë një shqetësim real. Teksa Greqia ishte mjaft e vogël për Gjermaninë dhe anëtarët më të pasur të eurozonës për t’u shpëtuar, Italia, me një ekonomi jo shumë larg madhësisë së Britanisë së Madhe, është shumë e madhe:shumë e madhe për të dështuar, dhe shumë e madhe për t’u shpëtuar.

Prej kësaj buron edhe paniku.

Ne e dimë që ky është një problem ekzistencial për të ardhmen e Bashkimit Evropian, pasi udhëheqësit populistë të Italisë nuk e fshehin, që nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po funksionon eurozona. Nëse partnerët e tyre evropianë, nuk do ta lejojnë Italinë të shpenzojë dhe të marrë hua më shumë se sa e lejojnë rregullat e eurozonës, ata do të preferonin monedhën e tyre.

Italianët kanë luajtur edhe me idenë e printimit të mini-obligacioneve të tyre, funksionalisht identike me kartëmonedhat në euro, por jashtë kontrollit të Bankës Qendrore Evropiane (diçka në fakt e paligjshme). Në zgjedhjet italiane, Brukseli u fajësua për shumë probleme:krizën e emigrantëve, gjendjen e ekonomisë, dhe ndjenjën e përgjithshme të krizës për shoqërinë e plakur dhe në stanjacion të Italisë.

Tragjedia e urës së Xhenovas, qëndron si një simbol i dështimit kombëtar

Kombi është më i përçarë se kurrë më parë- mes të varfërve dhe të pasurve, veriut dhe jugut, populistëve dhe neo-fashistëve përballë moderatorëve. Imagjinoni një komb, të qeverisur nga një administratë me qëndrimin e UKIP mbi emigracionin, por me politikat ekonomike të Xheremi Korbinit, dhe ja ku keni Italinë aktuale.

Në rishikimin më të fundit të buxhetit italian, koalicioni qeveritar Pesë Yjet-Lidhja në Romë, e shmangu përplasjen e qeverisë me Komisionin Europian. Armiqësitë me siguri do të rifillojnë në kohën e duhur – mbi lirinë ekonomike të Italisë, dhe ç’është më e rëndësishmja krizën e emigracionit, një çështje që Salvini e ka përdorur si misionin e tij personal, të cilit i duhet dhënë një zgjidhje.

Po përse Italia gjendet në telashe?

Arsyeja e thjeshtë, është se borxhet e saj janë shumë të mëdha, dhe investitorët kanë frikë se herët a vonë, qeveria do të kërkojë faljen e tyre. Ata mund të ecin përpara në mënyrën aktuale, ose të zvogëlojnë shumën e interesit që duhet të paguajnë për obligacionet e qeverisë italiane, ose të mos paguajnë aq sa duhet, ose në rastin më ekstrem të largohen nga euro, dhe të futin në përdorim një monedhë të re italiane.

Ironikisht, kjo do ta bënte borxhin në euro edhe më të vështirë për të paguar për shembull, një lira të re të zhvlerësuar. Nëse investitorët ose Banka Qendrore Europiane (BQE), nuk do t’i japin hua qeverisë italiane për të mbajtur më këmbë shërbimet e saj publike, pasojat politike do të ishin të pallogaritshme.

Kur financat publike të Italisë janë në telashe, po kështu ndodh edhe me ato të bankave të saj, sipas një tradite tashmë të gjatë. Këto të fundit, kanë qenë gjithnjë më shumë ose më pak blerës entuziastë të obligacioneve të qeverisë italiane, edhe kur askush tjetër nuk i kishte kërkuar ato.

Vitet e fundit BQE0ja, ka qenë e gatshme t’i blejë ato, por ky program është duke u shkatërruar – një shkak tjetër i fërkimit midis Italisë dhe institucioneve të BE-së.

Nëse asetet e bankave – obligacionet e qeverisë italiane – bëhen të pavlefshme, atëherë vetë bankat bëhen të pavlefshme. Nëse bankat italiane do të zhyten në telashe, atëherë qeveria italiane duhet të përpiqet dhe t’i shpëtojë ato, dhe kështu krijohet një rreth vicioz. Shpëtimi i gjithë sistemit, është përtej mjeteve që ka në dispozicion BE-ja (dmth Gjermania).

Arsyeja kryesore është ekonomia italiane, e cila ka një rritje të ngadaltë. Prapa kësaj është një problem me konkurrencën ndërkombëtare, dhe pas çdo gjëje qëndron kriza e tmerrshme demografike e Italisë, me shumë pak punëtorë të rinj që mbështesin shumë qytetarë të moshuar pensionistë.

Ironikisht, emigrimi do të ndihmonte në zgjidhjen e disa prej këtyre zhbalancave.

Por është jashtëzakonisht i papëlqyeshëm, ndërsa ka një pakënaqësi në rritje me ngurrimin e partnerëve të tjerë të BE-së për të pranuar emigrantët. Në veçanti, Hungaria e Viktor Orban, ka fituar zemërimin e politikanëve italianë, por edhe të Francës, e cila i jep shpesh leksione Italisë mbi përgjegjësitë e saj, por vetë nuk ndërmerr shumë veprime konkrete.

Ndryshe nga Britania e Madhe, Italia nuk do të largohet nga BE – por mund të ishte më mirë nëse do e bënte këtë. Gjithnjë e më të pakënaqur në klubin evropian, populistët e Italisë duken më të prirur të bashkohen me Amerikën e Trump dhe Rusinë e Putinit, sesa BE-në e Makronit dhe Merkel.

Italia, si poterexhie e vjetër në qoshen e unionit, është duke abuzuar me pjesën tjetër të familjes, dhe nuk ka dëshirë të përballet me të metat e veta. Dhe për këtë do të ketë më shumë grindje.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu