Kryesore

Historiani publikon të dhëna tronditëse: Në 1985 Shqipëria bleu mish qensh për të kaluar krizën e urisë

               Publikuar në : 14:06 - 29/10/17 S.N

Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar të dhëna të tjera tronditëse që lidhen me konsumimin e ushqimit të qenve nga shqiptarët në komunizëm.

Duke iu referuar reagimeve të një postimit të mëparshëm, ku Dervishi shkruante se në Elbasan qytetarët kanë ngrënë mish mace e qeni nga kriza e madhe, historiani ka reaguar me një tjetër shkrim, të cilin e ka titulluar “Për qentë e macet e diktaturës komuniste”.

Dervishi shkruan se komunistët preken nga të vërteta, sepse nuk i duan ato, ndërsa shton se ky nuk ishte skandali i vetëm.

Historiani shkruan për një tjetër rast të ndodhur në 1985, kur në Shqipëri kishte mbërritur mish qeni nga Argjentina ose Zelanda e Re dhe që mbante vulën e vitit 1966.

“Pasi Shqipëria bleu këtë mish, gazetat e perëndimit u çuditën për sasinë e madhe sepse nuk e dinin që te ne kishte kaq shumë qen. E pra ishte mish qensh që iu shit shqiptarëve për të kaluar krizën e madhe. Ky mish u refuzua nga blerësit, por më pas iu kalua restoranteve dhe ushtrisë”, përmbyll Dervishi.

REAGIMI I PLOTË:

Për qentë e macet e diktaturës komuniste

Nga postimi i fundit në lidhje me tollonat gjatë komunizmit, vërejta disa komente jokorrekte e për më tepër jashtë objektit të postimit. Për të plotësuar këtë postim, vijoj me analizimin e disa të vërtetave.

Në fillim të viteve ’80 regjimi komunist hyri në fazën e fundit të degradimit të tij, duke ndërmarrë veprime të paimagjinuara më parë. Ndërmori procesin e tufëzimit, me anë të të cilit i hoqi fshatit edhe bagëtitë simbolike të oborrit të tij. Si rezultat i këtij veprimi, krahas mungesave të shumta, në tregun shqiptar u vu re mungesa e mishit.

Në atë uri të tmerrshme, popullsia e vendit gjeti si alternativa ushqimore breshkat dhe bretkosat. Në raste të veçanta, disa individë të guximshëm deri në çmenduri bënë gjënë më të pabesueshme, ngrënien e mishit të maceve dhe qenve. Mishi i tyre zihej me uthull për të hequr erën e keqe, e më tej çohej në furrë si “mish lepuri”. Ky veprim ishte tregues i një urie të pazakontë, si rezultat i sjelljes kriminale ndaj popullit të një regjimi si ai komunist.

As në kohë lufte, as në kurrfarë krize, shqiptari nuk ra aq poshtë sa të hajë mishin e qenve dhe maceve. Nga fëmijëria ime në Elbasan mbaj mend që jam neveritur nga ky veprim. Nuk kam asnjë arsye të sajoj apo shpif, aq më tepër që nuk mund ta bëj këtë ndaj qytetit tim të lindjes. Me këtë rast tregova një aspekt të panjohur të diktaturës komuniste, se deri ku i çoi njerëzit ajo në atë kohë. Sigurisht kjo histori duhet treguar më shumë se kaq sepse nuk ka karakter lokal. Por, siç është bërë zakon, komunistët preken nga të vërtetat, nuk i duan ato. Sa herë që dalin fakte të tilla, përpiqen të kapin aspekte të parëndësishme, gjëra pa lidhje, etj. Madje njëri prej tyre ish aktor i komunizmit, i cili me një gjuhë ëc-je ishte “revoltuar” se qenkan “njollosur qytetarët” e Elbasanit. Unë nuk e di se ku u njollosën këta qytetarë (aq më tepër që nuk kam shkruar se ishte fenomen masiv), te të cilët hyj edhe vetë, por ndoshta aktori i roleve të punëtorëve operativë të Sigurimit, e ka njohur qytetin nga bërxollat e hotel “Skampës” e jo nga realiteti që ka qenë në atë kohë.

Por, në atë kohë ka qenë edhe një tjetër skandal i mishit me parafinë, që në popull cilësohej “mishi i bardhë”. Ishte një sasi mishi që u importua nga Argjentina ose Zelanda e Re rreth vitit 1985 (mbante vulë të vitit 1966). Ishte mish shumë i vjetër. Pasi Shqipëria bleu këtë mish, gazetat e perëndimit u çuditën për sasinë e madhe sepse nuk e dinin që te ne kishte kaq shumë qen. E pra ishte mish qensh që iu shit shqiptarëve për të kaluar krizën e madhe. Ky mish u refuzua nga blerësit, por më pas iu kalua restoranteve dhe ushtrisë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu