Kryesore

Historia e Benardit dhe Renës: Si e fituam lotarinë amerikane

               Publikuar në : 17:06 - 18/05/18 S.N

Në 15 maj, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi listën e fituesve të lotarisë amerikane. Si çdo vit tjetër, të shumtë ishin edhe aplikuesit nga Shqipëria.

Benardi dhe Rena janë dy të rinj të cilët aplikuan dhe fituan. Asnjëri prej tyre nuk mendonte se do të pranohej, por fati duket se ishte në anën e tyre. Benard Kadëna është 23 vjeç, nga Tepelena, por prej vitesh jeton në Tiranë. Ku ndjek studimet për Financë, por njëkohësisht është edhe në punë.

“Si i ri që jam, mendova për diçka ndryshe nga çka po bëj në Shqipëri. Ishte hera e dytë dhe aplikova kot. Nuk kisha ndonjë pretendim të madh.”

Rena Pëllumbi, aplikoi për herë të parë për lotarinë amerikane dhe e fitoi. 21 vjeçarja nga Korça rrëfen për Tirana Today momentin e marrjes së përgjigjes.

“Nuk e besoja se do ta fitoja, edhe pse e kam ëndërruar Amerikën që e vogël, përsëri më duket e pamundur që unë fitova, mes mijëra aplikantëve.”

Shqipëria ka qenë një prej vendeve të para që ka filluar aplikimin e lotarisë amerikane, në 1995. Vetëm në 10 vitet e fundit, rreth 15 mijë shqiptarë kanë përfituar vizën e përhershme për të jetuar në SHBA.

Shkrimtari James Truslow Adams, ka qenë i pari i cili ka popullarizuar termin “Ëndrra Amerikane”. Duke e portretizuar Amerikën si vendin për të pasur një jetë më të mirë për të gjithë. Pasi çdokujt i ofrohen mundësitë.

“Kështu duket se Amerika është ëndërr, çdo gjë do të jetë e thjeshtë. Por, jo ka vështirësi të veta. Është si një rinisje nga fillimi dhe lëmë pas gjithë familjen, shoqërinë, jetën këtu,”- thotë Benardi për Tirana Today.

“Jam shumë e gatshme të shkoj dhe të jetoj jetën time, nuk kam frikë nga ajo çfarë më pret andej, sado që është e panjohur për mua. Do të doja të jetoja edhe këtu në Shqipëri, por mundësitë janë shumë të pakta dhe atje e di që atje do të ishte shumë shpejt më e arritshme çdo dëshirë e imja,”-rrëfen Rena.

Të lodhur nga jetesa në Shqipëri, por të palodhur nga përpjekjet e vazhdueshme për të fituar lotarinë amerikane, shqiptarët çdo vit provojnë fatin.

“Lotaria është lotari, dikujt i vjen e dikush tjetër mund të mos e fitojë kurrë. Gjithsecili duhet të mundohet e të bëjë më të mirën për veten dhe jetën e tyre,”-shprehet Benardi.

Rena thotë për Tirana Today se nuk është dakord që njerëzit të vendosin gjithë shpresat te lotaria amerikane. Pasi çdokush duhet të mundohet të bëjë më të mirën si në Amerikë, po ashtu në Shqipëri. TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu